Rama: Kapja e medias nuk të çon në fitoren e zemrave të njerëzve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin për lirinë e medias në Shqipëri, duke deklaruar se pretendimet për “media të kapura” bien ndesh me realitetin që, sipas tij, pasqyrohet edhe nga analizat e inteligjencës artificiale mbi përmbajtjet mediatike.

Rama tha se këtë javë publikoi një analizë të realizuar nga një startup shqiptar, e cila sipas tij grumbullon dhe vlerëson kahjen e qëndrimeve në median tradicionale dhe online në raport me politikën.

Sipas kreut të qeverisë, analiza tregon se rreth 60% e kohës televizive në Shqipëri dominohet nga qëndrime kundër qeverisë, ndërsa një pjesë tjetër konsiderohet e balancuar dhe vetëm një pjesë e vogël rezulton pro qeverisë.

Ai theksoi se e njëjta panoramë shfaqet edhe në portalet online, të cilat sipas tij anojnë qartësisht nga kampi opozitar.

“Kjo tregon se nuk jemi në një vend me media të kapura dhe as në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin kundër qeverisë”, u shpreh Rama, duke shtuar se në Shqipëri dominon pikërisht e kundërta e asaj që ndodh në vendet me media të kontrolluara apo autokraci elektorale.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se përpjekjet për të kontrolluar mediat nuk sjellin “fitoren e zemrave dhe mendjeve të njerëzve”, ndërsa shtoi se liria e plotë e shprehjes u jep qytetarëve mundësinë të dallojnë mes atyre që “bëjnë punët” dhe atyre që, sipas tij, “ulërijnë nga mungesa e vizionit, programit dhe lidershipit”.

Makina përfundon në shkallët e Kryeministrisë, shoferi godet derën me shkelma

Screenshot

Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku një automjet ka përfunduar në shkallët e godinës së Kryeministrisë.

Pas ndalimit të mjetit, drejtuesi ka dalë nga makina dhe është drejtuar menjëherë drejt hyrjes së institucionit, ku ka goditur me shkelma derën e godinës.

Më pas, personi është ulur para hyrjes së Kryeministrisë, ndërsa gardistët i kanë kërkuar të largohet nga zona. Sipas raportimeve, ai nuk iu bind menjëherë urdhrit dhe qëndroi aty për disa minuta.

Ende nuk dihen motivet që kanë çuar drejtuesin e mjetit drejt këtij veprimi, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me incidentin.

Perplasen 2 automjete, humb jetën një 57-vjeçar, shoferet te dehur arrestohen

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Gjirit të Lalëzit, në Durrës, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një 57-vjeçar, i cili ndodhej pasagjer në njërin prej mjeteve. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur edhe dy drejtuesit e automjeteve, si dhe një pasagjer tjetër.

Sipas policisë, pas verifikimeve rezultoi se të dy shoferët drejtonin mjetet në gjendje të dehur, ndaj janë arrestuar në flagrancë.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Kreu i OBSH-së qetëson banorët e Tenerifes: Hantavirusi nuk është si COVID-19

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar pas alarmit të ngritur për frikën e përhapjes së hantavirusit në Tenerife, duke garantuar qytetarët se situata mbetet nën kontroll dhe nuk ka ngjashmëri me pandeminë e COVID-19.

Në një letër publike drejtuar banorëve të ishullit, Tedros pranoi shqetësimin e qytetarëve, duke kujtuar traumën që la pandemia e vitit 2020.

“E di që jeni të shqetësuar. E di që kur dëgjoni fjalën ‘shpërthim’ dhe shikoni një anije që lundron drejt brigjeve tuaja, shfaqen kujtime që asnjëri prej nesh nuk i ka harruar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment”, u shpreh ai.

Shefi i OBSH-së theksoi se, sipas vlerësimeve aktuale, rreziku për shëndetin publik nga hantavirusi “mbetet i ulët”.

“Ky është vlerësimi i OBSH-së dhe ne nuk e bëjmë atë lehtë”, deklaroi Ghebreyesus, duke apeluar për qetësi dhe ndjekje të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore.

Aksident në autostradën Fier-Lushnje, përplasen dy automjete

Screenshot

Një aksident në të cilin janë përfshirë dy automjete ka ndodhur në autostradën Fier Lushnje në afërsi të fshatit Bishqethëm.

Nga aksidenti ka pasur vetëm dëme materiale dhe asnjë nga 4 personat që ishin në të dy mjetet nuk ka pësuar lëndime serioze.

Policia e qarkullimit rrugor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka kryer dokumentimin e  rastit.

Sipas të dhënave të para dyshohet se një prej mjeteve ka kryer manovër të gabuar në parakalim dhe për pasojë drejtuesi e të dyja mjetet e përfshira kanë humbur kontrollin dhe kanë përplasur me barrierat e hekurta.

Greqi, hidhet në erë bankomati me 100 mijë euro

Një shpërthim i fortë ka tronditur zonën e Oinofyta-s në Greqi gjatë orëve të para të mëngjesit, pasi persona ende të paidentifikuar hodhën në erë një bankomat dhe grabitën një shumë të madhe parash.

Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të së shtunës, kur banorët e zonës u zgjuan nga zhurma e fuqishme e shpërthimit që alarmoi autoritetet lokale.

Raportohet se autorët përdorën lëndë shpërthyese për të çarë bankomatin, ku dyshohet se ndodheshin rreth 100 mijë euro. Pas shpërthimit, ata morën të paktën një arkë me para dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në vendngjarje u gjetën qindra kartëmonedha të djegura, me një vlerë totale rreth 2,500 euro, të cilat dyshohet se u dëmtuan gjatë shpërthimit.

Policia greke ka nisur hetimet dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa po merren edhe dëshmi nga banorët e zonës për të identifikuar autorët dhe itinerarin e tyre të arratisjes.

Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mënyrën e organizimit të grabitjes dhe mjetin që autorët përdorën për t’u larguar pas shpërthimit.

Shtrenjtohen ushqimet dhe produktet bazë

Përplasjet dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë nisur të japin efektet e para edhe në tregun shqiptar, kryesisht përmes rritjes së kostove të transportit dhe furnizimit, duke mbajtur në nivele të larta çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë të konsumit.

Shtrenjtimi i karburanteve në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar drejtpërdrejt në koston e importeve, ndërsa efekti po transmetohet gradualisht edhe tek konsumatori final në vend.

Sipas të dhënave të INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit me 1.3% gjatë muajit prill, ndërsa ushqimet në tërësi shënuan rritje me 1.2%.

Rritjen më të fortë e kanë pësuar peshku dhe produktet e detit, të cilat u shtrenjtuan me 6.5%, duke regjistruar nivelin më të lartë të rritjes në të gjithë grupin ushqimor.

Në rritje mbeten edhe çmimet e mishit, që u zgjeruan me 3.1%, ndërsa mishi i freskët, i ftohur ose i ngrirë rezulton 3.2% më i shtrenjtë krahasuar me një vit më parë.

Po ashtu, vajrat dhe yndyrnat vijojnë të mbeten në nivele të larta, me një rritje prej 3.1%, ndërsa pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 2.8%.

Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë situatë me rritjen e kostove të transportit dhe energjisë në tregjet globale, si pasojë e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar në zinxhirin e furnizimit dhe në çmimet e importeve.

Megjithatë, disa produkte kanë shfaqur ulje të lehtë çmimesh. Sipas INSTAT, perimet ranë me 0.7%, ndërsa drithërat dhe produktet me bazë drithërash shënuan një ulje prej 0.2%.

Aksion blic në burgjet e Fierit, Vlorës dhe Peqinit! Sekuestrohen telefona dhe mjete prerëse në qeli

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar këtë të shtunë kontrolle të befasishme në IEVP Fier, Vlorë dhe Peqin, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në institucionet penitenciare.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, ndërsa kontrollet u ushtruan nga forcat operacionale të Policisë së Burgjeve.

Gjatë kontrolleve nëpër qeli u konstatuan dhe sekuestruan aksesorë të mjeteve të komunikimit që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara dhe të tepërta.

Për rastet e evidentuara është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, i cili do të kryejë veprimet e mëtejshme proceduriale.

Drejtoria e Burgjeve thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit, duke nënvizuar se “toleranca ndaj shkeljeve është zero”.