Qeveria miraton subvencion për transportin publik: 50 lekë për litër karburant

Qeveria ka miratuar një paketë mbështetëse për operatorët e transportit publik, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të karburantit. Masa parashikon kompensim prej 50 lekësh për çdo litër karburanti për shoqëritë e transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se subvencioni do të zbatohet me efekt prapaveprues që nga muaji mars, periudhë kur nisën edhe efektet e krizës së çmimeve.

Sipas tij, vendimi është marrë pas konsultimeve me grupet e interesit të sektorit të transportit publik dhe përmbush angazhimet e marra nga qeveria ndaj operatorëve.

Autoritetet sqaruan se masa e kompensimit nuk do të tejkalojë sasinë e karburantit të konsumuar nga subjektet gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2025.

Efekti financiar i paketës llogaritet rreth 250 milionë lekë. Fondet do të mbulohen nga rezerva e buxhetit të shtetit, ndërsa për linjat urbane të Tiranës financimi do të vijë edhe nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, pasi Këshilli Bashkiak ka dhënë miratimin përkatës.