Rreth 2 tonë mish, i destinuar për përgatitjen e gjiros dhe sufllaqeve, janë bllokuar në një pikë përpunimi në Fier, pas një investigimi të emisionit “Fiks Fare”. Prokuroria e Fierit ka regjistruar një procedim penal për rastin, ndërsa në hetim është përfshirë subjekti “R Sauli”, i cili furnizonte me mish fast-food-e në Fier, Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Investigimi nisi pas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e emisionit, ku ngriheshin dyshime për dërgimin e mishit të kalbur në këtë pikë përpunimi, kryesisht nga kompania “King Meat”.
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në ambientet e subjektit në Fier, ku konstatuan probleme në kushtet e ruajtjes dhe përpunimit të mishit. Pamjet e siguruara tregojnë produkte të vendosura në tokë dhe mish të shpërndarë nëpër vaska, ndërsa punonjësit tentuan të pengonin filmimin dhe të largonin ekipin nga ambientet.
Gjatë ndërhyrjes pati edhe përplasje me punonjësit, ndërsa njëra prej tyre dyshohet se tentoi të godiste gazetaren me një shkop fshese.
Pronari i subjektit, Renald Sauli, pranoi se furnizohej nga disa kompani dhe se merrte edhe mish të dorës së dytë nga Elbasani dhe qytete të tjera. I pyetur për furnizimet nga “King Meat”, ai deklaroi se kjo ndodhte rrallë, pasi mishi i kësaj kompanie ishte i shtrenjtë.
Pas njoftimit nga Fiks Fare, në subjekt mbërriti grupi hetimor i Prokurorisë së Fierit, në koordinim me Policinë Gjyqësore dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Gjatë kontrollit u konstatuan problematika në ambientet ku përpunohej mishi dhe u vendos bllokimi i produkteve.
Sipas Prokurorisë së Fierit, për rastin është regjistruar procedimi penal nr. 2171/2026 për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, parashikuar nga neni 288 i Kodit Penal.
Institucioni konfirmon se gjatë kontrollit janë bllokuar rreth 2 tonë produkte mishi, ndërsa hetimet vijojnë. Për shkak të sekretit hetimor, Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera mbi çështjen.
Ndërkohë, analizat laboratorike pritet të përcaktojnë nëse mishi i bllokuar ishte i prishur dhe nëse përbënte rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Produktet ishin destinuar për furnizimin e fast-food-eve në disa qytete të vendit.










