Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 2.089 kilogramë produkte mishi në një subjekt të përpunimit të mishit në Fier, pas konstatimit të shkeljeve të kushteve higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore. Për shkeljet e konstatuara, biznesi është gjobitur me 1 milion lekë, ndërsa një pjesë e aktivitetit është ndërprerë.
Kontrolli është ushtruar nga inspektorët e AKU-së Fier, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, pas informacionit të përcjellë nga Prokuroria. Gjatë inspektimit në subjektin në pronësi të R. Saulit, me aktivitet në përpunimin e mishit, janë konstatuar mungesa të kushteve higjieno-sanitare dhe të ruajtjes së produkteve, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor, si dhe moszbatim i plotë i sistemit të vetëkontrollit HACCP.
Për pasojë, është vendosur bllokimi për asgjësim i 2.089 kilogramëve produkte, konkretisht 1.629 kilogramë produkt “gjiro”, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kimë mishi pule.
Kontrollet e AKU-së janë shtrirë edhe në qarqet Shkodër, Durrës dhe Dibër. Në Shkodër, subjekti “Universal Frigo Darb” është gjobitur me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
Në Durrës, subjekti “Golden Hand Company”, me aktivitet në tregtimin e frutave të thata, është gjobitur me 300 mijë lekë për mungesë gjurmueshmërie, moszbatim të sistemit HACCP dhe shkelje të përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor.
Ndërsa në Dibër, Kopshti nr. 3 dhe Spitali Civil në Peshkopi janë gjobitur me nga 30 mijë lekë secili, për moszbatimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.
Sipas AKU-së, gjatë dy ditëve janë inspektuar në të gjithë vendin 160 subjekte, ndërsa janë vendosur 9 masa administrative me paralajmërim dhe 8 gjoba, me vlerë totale 1 milion e 460 mijë lekë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se kontrollet do të vijojnë për garantimin e zbatimit të kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë ushqimore.










