Dy parti politike në Izrael, “Yashar”, e drejtuar nga Gadi Eisenkot, dhe “Demokratët”, me në krye Yair Golan, kanë arritur një marrëveshje paraprake për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës, me synimin për të zëvendësuar qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Marrëveshja është konfirmuar përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të enjten, ku të dyja forcat politike njoftojnë dakordësinë për bashkëpunimin dhe krijimin e një qeverie të re.
Sipas agjencisë “Anadolu”, Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor, me mundësi shtyrjeje edhe për 14 ditë të tjera, për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare dhe për të formuar kabinetin e ri.
Në bazë të marrëveshjes, partia e Eisenkot pritet të marrë drejtimin e disa dikastereve të rëndësishme, mes tyre Ministria e Punës, e Komunikacionit, si dhe ajo e Kulturës dhe Sportit.
Koalicioni, i njohur si “Blloku i Ndryshimit”, përfshin gjithashtu partinë “Yisrael Beitenu” të Avigdor Liebermanit dhe partinë “Së bashku” të Naftali Bennettit.
Megjithatë, sfida kryesore e opozitës mbetet sigurimi i shumicës parlamentare. Eisenkot, Lieberman dhe Golan disponojnë së bashku 48 mandate, ndërsa për krijimin e një qeverie nevojiten të paktën 61 vende në parlament.
Mbetet për t’u parë nëse blloku opozitar do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të formuar qeverinë e re dhe për t’i dhënë fund qëndrimit të Benjamin Netanyahut në pushtet.









