Evropa nën alarmin e bombave, mijëra shkolla evakuohen dhe dhjetëra fluturime devijohen

Një seri kërcënimesh për vendosjen e bombave ka shkaktuar alarm në disa vende të Evropës, duke vënë në gatishmëri autoritetet e sigurisë dhe duke ndërprerë aktivitetin në aeroporte, shkolla dhe institucione të ndryshme.

Mbi 50 fluturime janë prekur nga këto kërcënime, ndërsa mijëra shkolla kanë marrë email-e që paralajmëronin për praninë e bombave. Mesazhe të tilla kanë përfshirë edhe institucione mediatike dhe të paktën një anije turistike. Deri tani, kontrollet e kryera kanë rezultuar negative dhe kërcënimet janë konsideruar të rreme.

Italia është ndër vendet më të prekura. Rreth 6,300 shkolla morën mesazhe kërcënuese të mërkurën dhe 3,778 të tjera të enjten. Qindra institucione u evakuuan, ndërsa në raste të tjera mësimi vijoi normalisht.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kërkoi qetësi nga prindërit dhe propozoi rishikimin e procedurave të evakuimit, duke argumentuar se një email kërcënues, pa prova konkrete për rrezik, nuk duhet të sjellë automatikisht mbylljen e shkollave.

Alarmet janë shtrirë edhe në Skoci, Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës. Në Hungari dhe Francë, avionë luftarakë janë ngritur në ajër për të shoqëruar avionë pasagjerësh të përfshirë në kërcënime, ndërsa disa fluturime janë devijuar drejt aeroporteve alternative.

Autoritetet po hetojnë origjinën e mesazheve, të cilat në shumë raste janë dërguar nga llogari legjitime email-i, dyshohet se të komprometuara nga persona të paautorizuar. Kompanitë e sigurisë kibernetike Proofpoint dhe Abnormal Security kanë identifikuar përdorimin e kësaj metode, që vështirëson gjurmimin e autorëve.

Në hetime po shqyrtohet edhe pista e një fushate të mundshme të luftës hibride, që synon të krijojë pasiguri dhe të dobësojë besimin te institucionet evropiane. Dyshimet janë drejtuar edhe nga Rusia, por presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk ka ende prova që kërcënimet të lidhen me një shtet të huaj.

Ndërkohë, drejtuesi i Wizz Air, József Váradi, ka kërkuar koordinim më të madh mes vendeve evropiane dhe krijimin e një strukture të përbashkët për trajtimin e këtyre incidenteve. Autoritetet përballen tashmë me sfidën e identifikimit të autorëve, pa lejuar që kërcënimet e rreme të paralizojnë shërbimet publike dhe transportin në Evropë.