Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash në administrimin financiar të Bashkisë Fier për vitin 2024, duke konstatuar pasaktësi në pasqyrat financiare, mosregjistrim të detyrimeve, gabime në kontabilizimin e investimeve dhe realizim të ulët të buxhetit.
Në përfundim të auditimit, KLSH ka evidentuar 13 gjetje dhe ka dhënë 14 rekomandime, ndërsa për pasqyrat financiare ka dhënë opinion me rezervë. Ky vlerësim lidhet me gabime materiale që ndikojnë në saktësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar të institucionit.
Një nga problematikat kryesore lidhet me detyrimet e bizneseve ndaj Bashkisë Fier. Sipas të dhënave të sistemit TAIS, detyrimet në vlerën 551 milionë lekë nuk ishin pasqyruar në kontabilitet dhe në pasqyrat financiare të institucionit.
Auditimi ka konstatuar gjithashtu mbivlerësim të aktiveve me rreth 24 milionë lekë, për shkak të mosllogaritjes së amortizimit, si dhe investime të përfunduara që nuk ishin kapitalizuar, me një efekt financiar të vlerësuar në 68.2 milionë lekë.
Një tjetër parregullsi lidhet me shumën prej 608.2 milionë lekësh, të përbërë nga likuiditete të trashëguara nga periudhat e mëparshme, të cilat ishin regjistruar si të ardhura të vitit 2024, duke sjellë mbivlerësimin e tyre. Po ashtu, 175.1 milionë lekë grante për investime ishin pasqyruar gabimisht në zërin e shpenzimeve të tjera.
KLSH ka evidentuar edhe pasaktësi në pasqyrën e flukseve monetare, ku janë konstatuar llogaritje të dyfishta të shpenzimeve dhe një diferencë prej rreth 225.5 milionë lekësh në pasqyrimin e burimeve të financimit dhe investimeve.
Problematika janë konstatuar edhe në realizimin e buxhetit. Nga rreth 4.22 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2024, shpenzimet faktike arritën në rreth 3.2 miliardë lekë, ose 76% e planit. Ndërkohë, për investimet kapitale u realizuan vetëm rreth 322 milionë lekë nga 864.5 milionë lekë të planifikuara, me një nivel realizimi prej rreth 37%.
Në rekomandimet e saj, KLSH kërkon që Bashkia Fier të korrigjojë pasqyrat financiare, të kontabilizojë detyrimet e konstatuara dhe të marrë masa për përmirësimin e procedurave të administrimit financiar. Gjithashtu, i kërkohet institucionit që përmes Komisionit Disiplinor të analizojë përgjegjësitë për problematikat e evidentuara dhe të vlerësojë marrjen e masave përkatëse.
Raporti evidenton mangësi në mënyrën e administrimit dhe raportimit të financave publike të Bashkisë Fier.










