FIERI I 3-ti NË VEND PËR PRODHIMIN EKONOMIK, GJENERON 666 MILIONË LEKË NË DITË

Ekonomia e qarkut Fier gjeneron mesatarisht 666 milionë lekë në ditë, duke u renditur e treta në Shqipëri për nga madhësia e prodhimit ekonomik ditor, pas Tiranës dhe Durrësit.

Të dhënat bazohen në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të qarqeve për vitin 2024, sipas INSTAT-it, të përllogaritur në mesatare ditore duke pjesëtuar vlerën vjetore me 366 ditë.

Sipas analizës, Tirana kryeson me 3.23 miliardë lekë prodhim ekonomik në ditë, e ndjekur nga Durrësi me 706 milionë lekë. Pas Fierit, në renditje vijnë Elbasani me 408 milionë lekë dhe Vlora me 391 milionë lekë në ditë.

Në nivel kombëtar, ekonomia shqiptare prodhon mesatarisht rreth 6.88 miliardë lekë PBB në ditë. Vetëm Tirana përfaqëson afro 47% të kësaj vlere, duke dëshmuar përqendrimin e lartë të aktivitetit ekonomik në kryeqytet.

Në fund të renditjes qëndron Kukësi me 94.6 milionë lekë në ditë, rreth 34 herë më pak se Tirana. Pas tij renditen Gjirokastra me 141 milionë lekë dhe Dibra me 176 milionë lekë.

Megjithatë, ky tregues pasqyron madhësinë e ekonomisë së secilit qark dhe jo domosdoshmërisht produktivitetin apo të ardhurat e banorëve. Diferencat ndikohen edhe nga numri i popullsisë dhe përmasat e aktivitetit ekonomik në secilin territor.

Vlerat janë mesatare matematikore dhe nuk nënkuptojnë se qarqet prodhojnë çdo ditë të njëjtën sasi ekonomike, pasi aktiviteti ndryshon në varësi të sezonalitetit dhe sektorëve ekonomikë.