Autoritetet hungareze kundër korrupsionit kanë sekuestruar rreth 19.5 milionë dollarë para të gatshme, të cilat ishin fshehur në pyje, ndërtesa bujqësore, depo dhe prona private. Sekuestrimi është kryer në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj një ish-ministri të qeverisë së Viktor Orbán.
Në qendër të hetimit është Miklós Seszták, i cili ka drejtuar Ministrinë e Zhvillimit Kombëtar në Hungari gjatë viteve 2014-2018. Ai dyshohet për marrje ryshfeti në një skemë që lidhet me kompaninë shtetërore të transportit dhe blerjen e autobusëve të përdorur me çmime të fryra.
Sipas Zyrës Kombëtare të Rimëkëmbjes dhe Mbrojtjes së Pasurive (NVVH), kontrollet u zhvilluan të enjten dhe të premten në disa lokacione, ku hetuesit zbuluan shuma të konsiderueshme parash të fshehura në vende të ndryshme.
Paratë e sekuestruara përfshijnë 5 miliardë e 71 milionë e 632 mijë forinta hungareze, 2 milionë e 658 mijë e 350 euro dhe 1 milion e 257 mijë e 100 dollarë amerikanë. Vlera e përgjithshme llogaritet në rreth 19.5 milionë dollarë.
Autoritetet konfirmuan se e gjithë shuma është depozituar në llogarinë e Thesarit të Shtetit Hungarez. Ministri i Financave, András Kármán, bëri të ditur se 12 punonjës të Thesarit u angazhuan për tetë orë për numërimin e parave, duke përdorur pesë makina numërimi.
Hetimi zhvillohet pas ndryshimit të pushtetit në Hungari, ku Péter Magyar fitoi zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán. Gjatë fushatës, Magyar kishte premtuar hetimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij.
Në javët e fundit, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj figurave të tjera të lidhura me ish-qeverinë. Sipas raportimeve, në hetime të ndryshme janë përfshirë edhe dy ish-ministra të tjerë të periudhës së Orbán, si dhe vëllai i ish-kryeministrit.
Kryeministri Péter Magyar e ka përshëndetur sekuestrimin e parave, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo shënon zyrtarisht fundin e mafies Fidesz-KDNP!”, deklaroi Magyar, duke iu referuar ish-koalicionit qeverisës.










