Të paktën 27 fluturime në disa vende të Europës janë përfshirë nga kërcënime për bomba, duke vënë në alarm autoritetet e sigurisë dhe detyruar disa shtete të aktivizojnë avionët luftarakë. Incidentet janë regjistruar në Francë, Itali, Austri dhe Bullgari, ndërsa në disa raste avionët janë detyruar të ndryshojnë itinerar ose të kryejnë ulje emergjente.
Shtatë prej fluturimeve kishin lidhje me Italinë. Një avion i linjës Dublin-Romë u detyrua të ulej në një bazë ushtarake në Normandi, i shoqëruar nga avionët luftarakë francezë Rafale. Për këtë rast, prokuroria franceze ka nisur hetimet ndaj pilotit, i cili dyshohet se fillimisht nuk pranoi urdhrin për ulje në aeroportin ushtarak dhe kërkoi një aeroport civil.
Një tjetër avion, që udhëtonte nga Milano drejt Varshavës, kreu ulje emergjente në Vjenë. Alarme të ngjashme u raportuan edhe në fluturime drejt Pragës, Sofjes, Brukselit dhe Madridit.
Sipas autoriteteve italiane, kërcënimet ndaj dy fluturimeve drejt Romës u dërguan përmes një emaili në gjuhën italiane, të nënshkruar nga një grup që identifikohet si “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor”. Hetuesit dyshojnë për lidhje të mundshme me lëvizjen ekstremiste ruse “Male State”, e njohur për ideologjinë mizogjene, homofobe dhe antifeministe, si dhe për promovimin e epërsisë mashkullore në internet.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, paralajmëroi se këto incidente mund të jenë pjesë e një strategjie më të gjerë destabilizimi. “Gjithçka është e lidhur: frigoriferët, gjaku në Francë, dronët, avionët. Jetojmë në një periudhë të tillë”, deklaroi ai, duke shtuar se ngjarje të tilla synojnë të shtojnë kaosin.
Edhe drejtuesi i Air France-KLM, Ben Smith, e cilësoi të pazakontë shkallën e koordinimit të këtyre alarmeve. Nga ana tjetër, Komisioni Europian theksoi se është ende herët për të përcaktuar nëse incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Deri më tani, kontrollet e kryera nuk kanë zbuluar lëndë shpërthyese në avionët e inspektuar. Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve që qëndrojnë pas kërcënimeve.










