Enkelejda Veliu, një ditë para zgjedhjeve për kreun e PD-së në Fier: Do të jem kryetarja që do të na bëjë bashkë

Enkelejda Veliu, një ditë para zgjedhjeve për kreun e PD-së në Fier: Do të jem kryetarja që do të na bëjë bashkë

Një ditë para zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike në Fier, kandidatja e vetme grua në këtë garë, Enkelejda Veliu, i është drejtuar me një mesazh anëtarësisë dhe simpatizantëve demokratë. Veliu kërkon mbështetjen e demokratëve, duke premtuar bashkim, meritokraci dhe një ekip ku secili do të ketë përgjegjësi konkrete.

Në mesazhin e saj, ajo kujton angazhimin në Partinë Demokratike që në moshën 16-vjeçare dhe shprehet se synon të jetë kryetarja që do t’i bëjë demokratët bashkë.

Më poshtë mesazhi i plotë i Enkelejda Veliut:

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike!

Të nderuar demokratë të Fierit!

Ju që do të votoni dhe ju që, për një arsye apo një tjetër, nuk do ta gjeni emrin në lista (ndjesë e sinqertë).

Sot, dua t’ju drejtohem me dinjitetin që më karakterizon, me pjekurinë e viteve që kam, me guximin e një qëndrestareje dhe si bija e fisit të Velinjve.

Jemi në moment zgjedhjeje. Pa dashur t’ju intimidoj, më mjafton t’ju them që do të jem kryetarja që do të na bëjë bashkë.

Do të krijojmë një ekip, ku secili do të ketë përgjegjësinë direkte për seriozitetin e detyrës dhe llogaridhënies.

Do të kemi në fokus qytetarin dhe zgjidhjen e problematikave.

Do të sjellim në kujtesë votën dhe rëndësinë e saj për çdo vendimmarrje partiake. Meritokracia do të jetë kryefjala e ekipit tonë.

Le të sjellim klimën e të tjerëve pas nesh.

Të dashur miq!

Kështu keni qenë për mua që kur, 16 vjeçe, iu bashkova kësaj force politike! Nesër, pasi të mbarojë e gjitha kjo, do të shtensionohemi. Mëritë do të fashiten, qejfmbetja për votën do të jetë zeruar dhe, mbi të gjitha, ky proces do të na ketë bërë më shumë miq me njëri-tjetrin.

Fieri ka nevojë për demokratët dhe demokratët kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Le të besojmë fort te parimet tona:

ZOT! FAMILJE! PRONË!

Ora më e bukur është ora, kur të thërret ATDHEU!

JEMI SHUMË!
JEMI TË LIRË!
JEMI REBELË!
E MBI TË GJITHA, JEMI PD!

Nesër, në ambientet e Kinoteatrit, nga ora 7 deri në orën 6 pasdite.