Makina përfundon në shkallët e Kryeministrisë, shoferi godet derën me shkelma

Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku një automjet ka përfunduar në shkallët e godinës së Kryeministrisë.

Pas ndalimit të mjetit, drejtuesi ka dalë nga makina dhe është drejtuar menjëherë drejt hyrjes së institucionit, ku ka goditur me shkelma derën e godinës.

Më pas, personi është ulur para hyrjes së Kryeministrisë, ndërsa gardistët i kanë kërkuar të largohet nga zona. Sipas raportimeve, ai nuk iu bind menjëherë urdhrit dhe qëndroi aty për disa minuta.

Ende nuk dihen motivet që kanë çuar drejtuesin e mjetit drejt këtij veprimi, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me incidentin.