Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin për lirinë e medias në Shqipëri, duke deklaruar se pretendimet për “media të kapura” bien ndesh me realitetin që, sipas tij, pasqyrohet edhe nga analizat e inteligjencës artificiale mbi përmbajtjet mediatike.
Rama tha se këtë javë publikoi një analizë të realizuar nga një startup shqiptar, e cila sipas tij grumbullon dhe vlerëson kahjen e qëndrimeve në median tradicionale dhe online në raport me politikën.
Sipas kreut të qeverisë, analiza tregon se rreth 60% e kohës televizive në Shqipëri dominohet nga qëndrime kundër qeverisë, ndërsa një pjesë tjetër konsiderohet e balancuar dhe vetëm një pjesë e vogël rezulton pro qeverisë.
Ai theksoi se e njëjta panoramë shfaqet edhe në portalet online, të cilat sipas tij anojnë qartësisht nga kampi opozitar.
“Kjo tregon se nuk jemi në një vend me media të kapura dhe as në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin kundër qeverisë”, u shpreh Rama, duke shtuar se në Shqipëri dominon pikërisht e kundërta e asaj që ndodh në vendet me media të kontrolluara apo autokraci elektorale.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se përpjekjet për të kontrolluar mediat nuk sjellin “fitoren e zemrave dhe mendjeve të njerëzve”, ndërsa shtoi se liria e plotë e shprehjes u jep qytetarëve mundësinë të dallojnë mes atyre që “bëjnë punët” dhe atyre që, sipas tij, “ulërijnë nga mungesa e vizionit, programit dhe lidershipit”.










