Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka përcjellë një mesazh të fortë në lidhje me korrupsionin dhe manipulimin e tenderave në Shqipëri, gjatë një takimi me drejtuesit e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në fjalën e tij, Wendt theksoi se kompanitë amerikane janë të interesuara të investojnë në Shqipëri, në sektorë si energjetika, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia, por kusht për këtë është garantimi i konkurrencës së ndershme dhe zbatimi i barabartë i ligjit.
“Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike”, deklaroi ambasadori amerikan.
Wendt nënvizoi se investitorët e huaj duhet të kenë besim se kontratat respektohen, tenderat zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë garanton zbatimin e ligjit për të gjithë, pa dallim.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ambasadori ia kushtoi edhe luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, duke theksuar se rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Evropës janë të lidhura me kartelet e Amerikës së Jugut, të cilat veprojnë edhe kundër sigurisë së komuniteteve amerikane.
Ai vlerësoi punën e SPAK-ut dhe strukturave shqiptare të ligjzbatimit, duke theksuar se çdo sekuestrim droge, bllokim llogarie bankare dhe goditje e drejtuesve të grupeve kriminale dobëson fuqinë financiare të këtyre organizatave.
Gjatë takimit, Wendt vuri në dukje edhe rëndësinë e provave digjitale në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, shumë prej të dhënave që u nevojiten hetuesve shqiptarë ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë postën elektronike, llogaritë në rrjetet sociale dhe hapësirat e ruajtjes së të dhënave online.
Ai theksoi se hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë njohuritë e nevojshme për identifikimin, ruajtjen dhe administrimin e këtyre provave, pasi të dhënat digjitale mund të zhduken brenda pak ditësh.
Në këtë kuadër, ambasadori prezantoi edhe një seminar trajnimi nga eksperti i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Taylor Phillips, i cili do të shpjegojë procedurat për sigurimin e provave elektronike nga kompanitë amerikane.
Në përfundim të fjalës, Wendt theksoi se vendimmarrja e institucioneve të drejtësisë duhet të mbështetet vetëm te provat dhe ligji, pavarësisht pozicionit apo lidhjeve të personave që hetohen.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, ishte mesazhi i ambasadorit amerikan, i cili rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për SPAK-un dhe institucionet shqiptare të drejtësisë.










