Erion Vushkulli dëshmon në Prokurori për plagosjen gjatë protestës: Kërkoj drejtësi

Pak ditë pas kthimit nga Italia, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale në sy, Erion Vushkulli është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me plagosjen gjatë protestës në kryeqytet.

Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, i riu u shpreh se kërkon drejtësi për ngjarjen, ndërsa la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në protestën e thirrur më 28 nëntor, në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.

“Unë kërkoj drejtësi. Vetëm fitore, Shqipëria është e jona. Do të shoh si jam me gjendjen, unë këtu vijoj të bëj kontrollet. Aty isha për dy orë e pashë që nuk isha në gjendje”, deklaroi Vushkulli.

I riu mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Menjëherë pas kthimit nga Italia, Vushkulli është njoftuar të paraqitet në organin e akuzës për të dëshmuar në kuadër të hetimeve.