Fier/ Lëvizte me thikë në dorë në pedonale dhe kanosi drejtuesin e një makine, procedohet 42-vjeçari

Policia e Fierit ka identifikuar dhe shoqëruar 42-vjeçarin që u shfaq në një video të publikuar në rrjetet sociale, duke lëvizur me thikë në dorë në hyrje të pedonales së qytetit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi A. F., 42 vjeç, banues në Fier, është kapur mbrëmjen e djeshme dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ai ka kanosur me thikë drejtuesin e një automjeti që po kalonte në pedonalen e qytetit. Policia bën me dije se 42-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Thika që mbante me vete është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj tij ka nisur procedimi penal për veprën penale “Kanosja”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.