Shtrenjtohen ushqimet dhe produktet bazë

Përplasjet dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë nisur të japin efektet e para edhe në tregun shqiptar, kryesisht përmes rritjes së kostove të transportit dhe furnizimit, duke mbajtur në nivele të larta çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë të konsumit.

Shtrenjtimi i karburanteve në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar drejtpërdrejt në koston e importeve, ndërsa efekti po transmetohet gradualisht edhe tek konsumatori final në vend.

Sipas të dhënave të INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit me 1.3% gjatë muajit prill, ndërsa ushqimet në tërësi shënuan rritje me 1.2%.

Rritjen më të fortë e kanë pësuar peshku dhe produktet e detit, të cilat u shtrenjtuan me 6.5%, duke regjistruar nivelin më të lartë të rritjes në të gjithë grupin ushqimor.

Në rritje mbeten edhe çmimet e mishit, që u zgjeruan me 3.1%, ndërsa mishi i freskët, i ftohur ose i ngrirë rezulton 3.2% më i shtrenjtë krahasuar me një vit më parë.

Po ashtu, vajrat dhe yndyrnat vijojnë të mbeten në nivele të larta, me një rritje prej 3.1%, ndërsa pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 2.8%.

Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë situatë me rritjen e kostove të transportit dhe energjisë në tregjet globale, si pasojë e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar në zinxhirin e furnizimit dhe në çmimet e importeve.

Megjithatë, disa produkte kanë shfaqur ulje të lehtë çmimesh. Sipas INSTAT, perimet ranë me 0.7%, ndërsa drithërat dhe produktet me bazë drithërash shënuan një ulje prej 0.2%.