Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar këtë të shtunë kontrolle të befasishme në IEVP Fier, Vlorë dhe Peqin, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në institucionet penitenciare.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, ndërsa kontrollet u ushtruan nga forcat operacionale të Policisë së Burgjeve.
Gjatë kontrolleve nëpër qeli u konstatuan dhe sekuestruan aksesorë të mjeteve të komunikimit që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara dhe të tepërta.
Për rastet e evidentuara është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, i cili do të kryejë veprimet e mëtejshme proceduriale.
Drejtoria e Burgjeve thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit, duke nënvizuar se “toleranca ndaj shkeljeve është zero”.










