Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur një tender me fond limit rreth 1.3 miliardë lekë për përmirësimin estetik dhe plotësimin e punimeve në autostradën Tiranë–Durrës, në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit.
Projekti përfshin pjesën e zgjeruar të aksit rrugor, e cila u hap së fundmi për qarkullim, si dhe fazën e tretë të punimeve ku vijon ende ndërhyrja infrastrukturore.
Sipas dokumentacionit të tenderit, fokusi kryesor do të jetë gjelbërimi përgjatë autostradës, përmes krijimit të hapësirave të reja të gjelbra, sistemimit të sipërfaqeve ekzistuese dhe mbjelljes së pemëve e shkurreve dekorative në trafikndarës dhe anët e rrugës.
Në projekt parashikohet edhe instalimi i një sistemi të automatizuar ujitjeje, i kontrollueshëm në distancë, për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara.
Ndërkohë, pjesë e investimit do të jetë edhe modernizimi i ndriçimit rrugor. Raporti teknik parashikon vendosjen e ndriçuesve LED me efikasitet të lartë dhe jetëgjatësi deri në 100 mijë orë, si dhe shtylla ndriçimi të shpërndara në intervale të rregullta përgjatë segmentit.
Punimet do të përfshijnë gjithashtu veshjen e mureve të nënkalimeve pranë ish-Sheshit Shqiponja dhe rehabilitimin e shtresave asfaltike të dëmtuara, në zona ku nuk është ndërhyrë prej më shumë se 10 vitesh.
Afati për dorëzimin e ofertave nga kompanitë pjesëmarrëse është caktuar në mesin e muajit qershor.










