Hita: Teknologjia inteligjente do të rrisë sigurinë rrugore dhe efikasitetin e Policisë së Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, ku vuri theksin te rëndësia e teknologjisë inteligjente dhe mjeteve moderne në rritjen e efikasitetit të punës policore.

Përdorimi i sistemeve bashkëkohore do të përmirësojë ndjeshëm monitorimin dhe reagimin në terren, duke reduktuar njëkohësisht ndërveprimin e drejtpërdrejtë mes policisë dhe qytetarëve.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, kjo qasje pritet të ndikojë pozitivisht në forcimin e sigurisë publike dhe asaj rrugore, ndërsa do të ndihmojë edhe në rritjen e besimit të qytetarëve dhe përmirësimin e imazhit të institucionit të Policisë.

Apeli i Posaçëm liron nga burgu ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka vuante denimin ne burg prej 2 vjetësh

Apeli i Posaçëm ka vendosur lirimin nga qelia të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i cili mbahej në burg prej qershorit 2024, pasi ka përfunduar shlyerjen e dënimit.

Vendimi u dha nga gjyqtari Florjan Kalaja, pasi u shqyrtua kërkesa e paraqitur nga mbrojtja e Zarkës, e mbështetur edhe nga prokurori i çështjes.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës ishte dënuar me 4 vite burg për akuzat e “korrupsionit” dhe “ndikimit të paligjshëm” në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, por dënimi iu ul në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Çështja “Toyota Yaris” nisi pas sekuestrimit në Portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove cash të fshehura në dy automjete të përdorura të ardhura nga Belgjika.

Bordi i Transparencës rrit sot çmimin e karburantit

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës në datë 9 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 182 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 170 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Rama: Integrimi në BE po ecën mbi baza objektive, pretendimet për bllokime janë “shitje ajri”

Screenshot

Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po avancon mbi bazën e vlerësimeve objektive të Komisionit Evropian, i cili sipas tij ka konstatuar përmbushjen e detyrave nga ana e vendit në këtë fazë.

Gjatë fjalës së tij, Rama hodhi poshtë pretendimet për bllokime politike në procesin e negociatave, duke i cilësuar ato si të pabaza. “Të thuash se u bllokua nga X apo Y është të shesësh ajër. Kush beson se ajri blihet, ta shesë”, u shpreh kryeministri me tone ironike.

Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një proces që kërkon punë të vazhdueshme dhe jo garanci të shkruara paraprakisht, ndërsa nënvizoi se rëndësi ka vlerësimi i Komisionit Evropian, i cili sipas tij e trajton procesin në mënyrë objektive dhe jo politike.

“Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria, por Komisioni. KE i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe për piketat e ndërmjetme. Dhe ai po diskuton me shtetet anëtare. Për ne është e rëndësishme çfarë thotë KE. Ne vazhdojmë punën në të gjitha drejtimet”, deklaroi Rama.

“Shqipëria më afër se kurrë familjes europiane”/ Rama mesazh për Ditën e Europës

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës, duke theksuar se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë integrimit në Bashkimin Europian.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se rruga europiane e vendit mbetet prioritet kombëtar, ndërsa nënvizoi progresin e bërë në procesin e negociatave dhe reformat e ndërmarra.

“Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane”, shkruan kreu i qeverisë në mesazhin e tij, duke e cilësuar 9 Majin si një ditë reflektimi për paqen, bashkëpunimin dhe të ardhmen europiane të vendit.

Policia në gatishmëri për protestën e opozitës, drejtori i Përgjithshëm inspekton masat në Bulevard

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka zbritur në terren pak minuta para nisjes së protestës së thirrur nga opozita, e cila pritet të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Gjatë inspektimit të masave të sigurisë, ai ka kërkuar nga strukturat e rendit të ruajnë qetësinë, të veprojnë me profesionalizëm dhe të garantojnë mbarëvajtjen e tubimit.

Protesta e opozitës është planifikuar të nisë në orën 19:00 dhe do të zhvillohet në formë marshimi përgjatë bulevardit, pa fjalime apo podium.

Konflikti në Lindjen e Mesme shton presionin ekonomik, rriten çmimet në Shqipëri

Screenshot

Përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme po reflektohet edhe në tregun shqiptar, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, inflacioni gjatë muajit prill arriti në 2.8%, duke regjistruar nivelin më të lartë të dy viteve të fundit.

Ndikimi kryesor vjen nga rritja e çmimit të karburanteve dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare, që po transmetohet gradualisht në ekonomi. Vetëm brenda një muaji, inflacioni u rrit nga 2.6% në 2.8%, ndërsa disa nga shërbimet dhe produktet bazë janë bërë më të kushtueshme për qytetarët.

Transporti rezulton sektori me rritjen më të fortë të çmimeve. Sipas statistikave zyrtare, ky grup ka pësuar një rritje prej 8.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Ndërkohë, gjatë muajit prill çmimet në këtë sektor u shtuan me 1%. Shtrenjtimi lidhet me rritjen e çmimit të naftës, e cila në tregun vendas ka kaluar kufirin e 200 lekëve për litër.

Rritje janë regjistruar edhe në qira, energji elektrike, ujë dhe karburante të tjera, sektor që pati një ndikim të konsiderueshëm në nivelin total të inflacionit. Po ashtu janë shtuar kostot për shërbimet financiare, sigurimet, aktivitetet kulturore dhe argëtuese, si edhe për restorantet dhe strukturat akomoduese.

Familjet shqiptare vijojnë të ndjejnë presion edhe te ushqimet. Kategoria e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike ka shënuar rritje me 1.3% në krahasim me një vit më parë. Në të kundërt, veshjet dhe këpucët pësuan një ulje të lehtë të çmimeve gjatë muajit prill.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e lënë në nivelin 2.5%. Sipas institucionit, efekti i rritjes së çmimeve të energjisë dhe naftës pritet të jetë i përkohshëm, ndërsa ekonomia shqiptare parashikohet të vijojë rritjen, edhe pse me ritme më të moderuara.

Kapet sasia rekord e kok*in*s në Europë, sekuestrohen 30 tonë dr*gë me vlerë 812 milionë euro

Screenshot

Policia spanjolle ka sekuestruar 30 tonë kokainë nga një anije pranë Ishujve Kanarie, në atë që konsiderohet si një nga operacionet më të mëdha antidrogë të realizuara ndonjëherë në Europë.

Sipas Gjykatës së Lartë të Spanjës, janë arrestuar 23 anëtarë të ekuipazhit të anijes “Arconian”, e cila lundronte me flamurin e Ishujve Komore. Anija u ndalua nga forcat e Guardia Civil më 1 maj.

Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se vlera e ngarkesës së sekuestruar arrin mbi 812 milionë euro.

Sasia prej 30 tonësh tejkalon rekordin e mëparshëm europian prej 25 tonësh kokainë, të zbuluar nga policia gjermane në portin e Hamburgut në qershor të vitit 2024.

Po ashtu, kjo sasi është më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm në Spanjë, ku vitin e kaluar u sekuestruan 13 tonë kokainë të fshehura në një ngarkesë me banane nga Ekuadori në portin e Algeciras.