Nis zbatimi i projektit për tregun e fruta-perimeve në Vlorë, tregtarët kundërshtojnë zhvendosjen

Screenshot

Është rrethuar kantieri për zbatimin e projektit të ri të tregut të fruta-perimeve në Vlorë, investim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 115 milionë lekë.

Punimet për projektin kanë nisur, por tregtarët vijojnë të kundërshtojnë largimin nga hapësira aktuale. Sipas tyre, vendet e përcaktuara nga Bashkia për zhvendosjen janë të papërshtatshme për shkak të distancës dhe ndikimit që do të ketë në aktivitetin tregtar.

Që prej muajit janar, tregtarët kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar që t’u vihet në dispozicion një hapësirë brenda qytetit. Nga ana tjetër, Bashkia ka vendosur që një pjesë e tyre të sistemohen pranë tregut të Çoles, ndërsa pjesa tjetër pranë tregut të shumicës.

Vendimi është kundërshtuar nga tregtarët, ndërsa këtë të premte forcat e policisë bashkiake kanë ndaluar hyrjen e tyre në ambientet e tregut. Sipas Bashkisë, hapësira do t’i dorëzohet firmës zbatuese për nisjen e investimit.

Era e fortë rrëzon pemë në Lungomare, ndërhyjnë zjarrfikësit

Screenshot

Era e fortë bregdetare që ka përfshirë këtë të premte qytetin e Vlores ka shkaktuar rrëzimin e dy pemeve në zonën e Lungomares dhe Transballkanikes

Pemeg e llojit rap kane rënë pranë vendkalimit të këmbësorëve, duke bllokuar përkohësisht trotuarin dhe lëvizjen në zonë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për prerjen e pemeve dhe largimin e tyre, me qëllim rikthimin e qarkullimit normal dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja, ulet sërish çmimi i naftës

Bordi i Transparencës në datë 8 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 179 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 ora 13.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

PS propozon ashpërsim të Kodit Rrugor, deri në heqje përgjithmonë të patentës për drejtuesit në gjendje të dehur

Partia Socialiste ka depozituar amendamente të reja në Kuvend për ndryshime në Kodin Rrugor, duke parashikuar masa më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit, sidomos për drejtimin pa patentë, përdorimin e telefonit gjatë ecjes me mjete dhe drejtimin në gjendje të dehur.

Sipas amendamenteve, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, përveç përgjegjësisë penale, do t’u shtyhet me 1 vit e drejta për t’u pajisur me patentë. Për të miturit, kjo periudhë do të jetë 2 vite nga momenti kur u lind e drejta ligjore për të marrë patentën.

Një tjetër ndryshim prek drejtuesit e rinj që kanë marrë patentën e kategorisë “B” brenda 24 muajve të fundit. Për ta parashikohen kufizime të posaçme, si:

  • tolerancë zero për alkoolin;
  • kufi maksimal 90 km/orë në autostrada dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara;
  • ndalim qarkullimi nga ora 24:00 deri në 06:00 pa një shoqërues me të paktën 3 vite eksperiencë drejtimi.

Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim patente për 1 muaj dhe heqje pikësh.

Amendamentet parashikojnë gjithashtu masa më të forta ndaj sjelljeve agresive në rrugë, duke përfshirë manovrat e rrezikshme, ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim dhe sjelljet antisociale gjatë drejtimit.

Rritje parashikohet edhe për gjobat, ku në disa raste masa administrative shkon deri në 60 mijë lekë.

Ndryshime të rëndësishme janë propozuar edhe për përdorimin e telefonit celular. Ndalohet përdorimi i telefonit të mbajtur në dorë jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për përdoruesit e biçikletave, monopatinave elektrike dhe motomjeteve deri në 50 cc.

Po ashtu, drejtuesit që janë të detyruar të përdorin syze optike ose pajisje ndihmëse sipas kushteve të patentës, do të duhet t’i mbajnë detyrimisht gjatë drejtimit të mjetit.

Një nga masat më të forta të propozuara lidhet me drejtimin në gjendje të dehur. Sipas amendamentit të ri, nëse një drejtues kapet sërish me nivel alkooli mbi normën e lejuar dhe rezulton i ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do t’i hiqet patenta përgjithmonë.

Sot protesta e opozites, marshim drejt Kryeministrisë – mungon podiumi, pa fjalime në shesh

Demokratët pritet të nisin sot protestën e thirrur nga opozita, e cila do të shoqërohet menjëherë me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë.

Ndryshe nga herët e tjera, në shesh nuk është vendosur podium, çka lë të kuptohet se këtë herë protesta nuk do të përfshijë fjalime politike, por do të fokusohet vetëm te marshimi dhe qëndrimi simbolik përpara institucionit qeveritar.

Indiferenca ndaj lajmeve dhe dobësimi i reagimit institucional: Kur “çudia tre ditë zgjat” po kthehet në normalitet

Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe çdo ngjarje konkurron me tjetrën për vëmendje, lajmi ka humbur shumë nga pesha e dikurshme. Ajo që dikur shihej si thirrje për reagim institucional, sot shpesh trajtohet si një njoftim i zakonshëm, që kalon në ekran, në rrjet social, dhe më pas zhduket pa lënë gjurmë.

Perceptimi publik është ndryshuar rrënjësisht. Jo më shumë se një dekadë më parë, një denoncim i transmetuar në media mund të vinte në lëvizje policinë, prokurorinë apo institucione të tjera përgjegjëse. Reagimi, edhe kur nuk ishte i menjëhershëm, ishte i pashmangshëm, sepse presioni publik dhe mediatik krijonte ndjesinë e llogaridhënies. Sot, kjo lidhje duket e zbehur. Lajmi shpesh konsumohet shpejt dhe harrohet edhe më shpejt, ndërsa institucionet duket sikur presin që zhurma të kalojë vetë.

Në këtë realitet të ri, është krijuar një kulturë e rrezikshme indiference të dyfishtë: nga njëra anë e publikut, që i ekspozohet vazhdimisht skandaleve dhe humbet ndjeshmërinë; dhe nga ana tjetër e institucioneve, që shpesh veprojnë vetëm kur presioni bëhet i pashmangshëm. Kështu lind bindja se “çudia tre ditë zgjat”, një logjikë që shndërrohet në justifikim për mosveprim dhe në mekanizëm për të pritur harresën.

Por në thelb, problemi nuk është mungesa e informacionit apo e denoncimeve. Përkundrazi, sot ka më shumë transparencë se kurrë më parë. Problemi qëndron në mungesën e vazhdimësisë së reagimit dhe në fragmentimin e vëmendjes publike. Lajmi nuk shoqërohet më domosdoshmërisht me ndjekje institucionale, por shpesh mbetet në nivel perceptimi, pa kaluar në fazën e përgjegjësisë.

Kjo ka krijuar një hendek të rrezikshëm mes asaj që ndodh në realitet dhe asaj që prodhon reagim real. Kur informacioni nuk shndërrohet në veprim, transparenca humbet forcën e saj më të rëndësishme: aftësinë për të ndryshuar gjërat.

Në fund, sfida e kohës nuk është vetëm të informohemi më shumë, por të mos mësohemi me mosreagimin. Sepse një shoqëri ku çdo lajm harrohet shpejt, rrezikon të bëhet një shoqëri ku asgjë nuk ndryshon kurrë.

Moti i keq “izolon” mjetet e vogla lundruese në Vlorë, pezullohet lundrimi deri në orën 22:00

Autoritetet detare kanë njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur gjatë kësaj të premteje, 8 maj 2026.

Sipas parashikimeve, duke nisur nga ora 08:00 priten erëra të forta nga drejtimi jug-juglindje me forcë deri në 6-7 ballë dhe me shpejtësi 15-20 m/s. Ndërkohë, dallgët në det do të arrijnë lartësi nga 1.5 deri në 2.5 metra.

Për shkak të përkeqësimit të motit, autoritetet kanë ndaluar pajisjen me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, nga ora 08:00 deri në orën 22:00 të kësaj të premteje.

Institucionet detare u kanë bërë thirrje subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e lundrimit të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, si dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve për të shmangur situata emergjente.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas itinerareve të planifikuara.

Sipas njoftimit zyrtar, përmirësimi i kushteve të motit dhe rifillimi i lundrimit për mjetet e vogla pritet pas orës 22:00.

“Si deputet i Fierit…lapsusi i Ulsi Manjës shkakton të qeshura në Kuvend

Seanca maratonë në Kuvendin e Shqipërisë, që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi pas mesnate, solli jo vetëm debate politike, por edhe momente gazmore në sallë.

Lodhja duket se ndikoi edhe te deputeti socialist Ulsi Manja, i cili gjatë fjalës së tij bëri disa lapsuse që shkaktuan të qeshura mes kolegëve.

“Meqenëse data 8 na kapi në Parlament, si deputet i qarkut Fier… ndjesë, si deputet i qarkut Lezhë…”, tha Manja, duke korrigjuar menjëherë veten.

Më pas ai vijoi me urimin për deputetin socialist Admir Kadeli, por përsëri ngatërroi formulimin:

“Dua t’i uroj ditëlindjen kolegut tonë Admir Kadeli dhe mikut tim, Admir Kadeli. Gëzuar 37-vjetorin dhe veç të mira paç!”, u shpreh Manja, duke sjellë sërish të qeshura në sallë.