Me një fond limit prej afro 5.8 miliardë lekësh, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy procedura tenderuese për ndërtimin e segmentit lidhës Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII, pjesë e bypass-it të Elbasanit.
Segmenti i ri rrugor, me gjatësi rreth 4 kilometra, nis pa mbërritur te rrethrrotullimi i Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Metalurgjikut. Projekti synon të lehtësojë trafikun në hyrje-daljet e autostradës Tiranë–Elbasan, një nga pikat më problematike të qarkullimit në vend.
Sipas dokumenteve të tenderit, ndërtimi i bypass-it të Elbasanit konsiderohet një ndërhyrje strategjike, pasi do të krijojë një rrugë alternative për devijimin e trafikut të rënduar jashtë zonave urbane të qytetit. Aktualisht, unaza ekzistuese nuk përmbush më kapacitetet dhe parametrat teknikë për të përballuar fluksin në rritje të automjeteve.
Bypass-i është pjesë integrale e Korridorit VIII Pan-Europian, një nga akset më të rëndësishme të transportit rajonal dhe ndërkombëtar. Ky segment do të shërbejë si nyje lidhëse mes akseve Elbasan–Lekaj dhe Elbasan–Qafë Thanë, të cilat janë aktualisht në proces ndërtimi.
Gjurma e projektuar e rrugës do të kalojë kryesisht në zona kodrinore dhe rurale, duke shmangur zonat e banuara, me synim rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e efikasitetit të lëvizjes.
Sipas parashikimeve, realizimi i bypass-it do të ndikojë në uljen e kohës së udhëtimit, reduktimin e ndotjes akustike dhe ajrore në qytet, rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e trafikut në hyrje të Elbasanit.
Projekti është përfshirë në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029, në listën e investimeve me status “i maturuar”, me një kosto totale të parashikuar prej 240 milionë eurosh.