Rama: Integrimi në BE po ecën mbi baza objektive, pretendimet për bllokime janë “shitje ajri”

Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po avancon mbi bazën e vlerësimeve objektive të Komisionit Evropian, i cili sipas tij ka konstatuar përmbushjen e detyrave nga ana e vendit në këtë fazë.

Gjatë fjalës së tij, Rama hodhi poshtë pretendimet për bllokime politike në procesin e negociatave, duke i cilësuar ato si të pabaza. “Të thuash se u bllokua nga X apo Y është të shesësh ajër. Kush beson se ajri blihet, ta shesë”, u shpreh kryeministri me tone ironike.

Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një proces që kërkon punë të vazhdueshme dhe jo garanci të shkruara paraprakisht, ndërsa nënvizoi se rëndësi ka vlerësimi i Komisionit Evropian, i cili sipas tij e trajton procesin në mënyrë objektive dhe jo politike.

“Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria, por Komisioni. KE i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe për piketat e ndërmjetme. Dhe ai po diskuton me shtetet anëtare. Për ne është e rëndësishme çfarë thotë KE. Ne vazhdojmë punën në të gjitha drejtimet”, deklaroi Rama.