Kreu i OBSH-së qetëson banorët e Tenerifes: Hantavirusi nuk është si COVID-19

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar pas alarmit të ngritur për frikën e përhapjes së hantavirusit në Tenerife, duke garantuar qytetarët se situata mbetet nën kontroll dhe nuk ka ngjashmëri me pandeminë e COVID-19.

Në një letër publike drejtuar banorëve të ishullit, Tedros pranoi shqetësimin e qytetarëve, duke kujtuar traumën që la pandemia e vitit 2020.

“E di që jeni të shqetësuar. E di që kur dëgjoni fjalën ‘shpërthim’ dhe shikoni një anije që lundron drejt brigjeve tuaja, shfaqen kujtime që asnjëri prej nesh nuk i ka harruar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment”, u shpreh ai.

Shefi i OBSH-së theksoi se, sipas vlerësimeve aktuale, rreziku për shëndetin publik nga hantavirusi “mbetet i ulët”.

“Ky është vlerësimi i OBSH-së dhe ne nuk e bëjmë atë lehtë”, deklaroi Ghebreyesus, duke apeluar për qetësi dhe ndjekje të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore.