Shqipëria do të bëhet pjesë e rrjetit global të organizatës hebraike Chabad-Lubavitch, duke ngritur për herë të parë një qendër të përhershme në vend. Lajmi u bë i ditur gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Emisarëve të kësaj organizate, ku Shqipëria u prezantua si vendi më i ri në rrjetin e saj ndërkombëtar.
Për krijimin e qendrës janë angazhuar rabini Yossi Fridman dhe bashkëshortja e tij, Etka Fridman, së bashku me djalin e tyre, Meir. Familja do të kujdeset për shërbimin ndaj komunitetit hebre në Shqipëri, por edhe për numrin në rritje të turistëve dhe vizitorëve hebrenj që zgjedhin vendin tonë si destinacion.
Sipas njoftimit të Chabad-Lubavitch, prania hebraike në Shqipëri daton rreth 2 mijë vite më parë. Një dëshmi e kësaj historie janë edhe rrënojat e një sinagoge të lashtë, të zbuluara rreth dy dekada më parë në Sarandë.
Një vend të veçantë në historinë e marrëdhënieve mes dy popujve zë qëndrimi i shqiptarëve gjatë Holokaustit. Tradita e besës, një prej vlerave themelore të kulturës shqiptare, bëri që shumë familje të strehojnë dhe fshehin hebrenjtë nga përndjekjet naziste, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me një popullsi hebraike më të madhe se ajo që kishte përpara luftës.
Pas përfundimit të konfliktit, regjimi komunist solli izolimin e komunitetit hebre. Ndalimi i fesë dhe ndërprerja e lidhjeve me komunitetet hebraike në botë e vështirësuan ruajtjen e jetës fetare, megjithatë një komunitet i vogël arriti të mbijetojë dhe të ruajë identitetin e tij.
Duke folur për këtë nismë, rabini Yossi Fridman e lidhi hapjen e qendrës me traditën shqiptare të besës.
“Koncepti shqiptar i besës do të thotë se e mban premtimin ndaj mysafirit, pavarësisht kostos. Gjatë Holokaustit, shqiptarët e mbajtën këtë premtim ndaj popullit hebre. Ne kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që kalon pragun të trajtohet si pjesë e familjes, ashtu siç e trajtoi Shqipëria popullin tonë kur kjo kishte më shumë rëndësi”, deklaroi ai.
Qendra e re synon të ofrojë shërbime fetare dhe komunitare, përfshirë ushqimin kosher, një sinagogë dhe organizimin e vakteve tradicionale të Shabatit. Ajo do të shërbejë si pikë takimi për hebrenjtë që jetojnë në Shqipëri, si dhe si një vend mikpritjeje për turistët hebrenj që dëshirojnë të ruajnë traditat dhe praktikat e tyre fetare gjatë qëndrimit në vend.
Nisma shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe popullit hebre. Pothuajse një shekull pasi familjet shqiptare hapën dyert e shtëpive të tyre për hebrenjtë e përndjekur në Evropë, një qendër e organizatës Chabad-Lubavitch do të hapë dyert e saj në Shqipëri.










