Tjetërsuan 44 mijë m² tokë shtetërore në Povelçë për park fotovoltaik, Prokuroria Fier zbardh skemën: 4 në burg, një me detyrim paraqitjeje

Prokuroria e Fierit ka zbardhur skemën e dyshuar të tjetërsimit të një sipërfaqeje prej 44.100 metrash katrorë tokë shtetërore në fshatin Povelçë, e cila më pas është shitur për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Në kuadër të hetimeve, Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për katër persona, mes tyre tre zyrtarë të Kadastrës Fier dhe një notere, ndërsa për një tjetër ish-punonjëse të Kadastrës janë vendosur masat “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas kallëzimit të shtetasit A.P., i cili pretendoi se një sipërfaqe toke në Povelçë ishte kaluar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Nga hetimet dyshohet se prona, e regjistruar fillimisht në Librin e Ngastrave në pronësi të shtetit, është kaluar në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh me përmbajtje të rreme.

Sipas organit të akuzës, për regjistrimin e tokës janë përdorur një certifikatë pronësie e vitit 2007, që dyshohet se është e falsifikuar, një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje, si dhe dy prokura noteriale të dyshuara si të falsifikuara. Në njërin rast, njëra prej personave që rezultonte se kishte qenë para noteres për hartimin e prokurës, në atë datë ndodhej jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, nënshkrimet dyshohet se ishin marrë në fletë të bardha, pa përmbajtje.

Mekanizmi i dyshuar ka konsistuar në përdorimin e referencave të regjistrimit të një prone tjetër të familjes A.P., me sipërfaqe 4 mijë metra katrorë, për të regjistruar në emër të saj edhe tokën shtetërore prej 44.100 metrash katrorë. Prokuroria thekson se për këtë sipërfaqe nuk ekzistonte asnjë titull pronësie dhe në dosjen e regjistrimit nuk gjendej asnjë aplikim.

Më 25 janar 2023, pesë ditë përpara lidhjes së kontratës së shitjes, nga Kadastra Fier janë lëshuar kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale. Në këtë mënyrë, prona shtetërore është paraqitur si pronë private e familjes A.P.

Më pas, toka i është shitur personave të tretë, të cilët synonin ndërtimin e një parku fotovoltaik. Kontrata e shitjes është lidhur më 30 janar 2023, për shumën 88.200 euro. Sipas hetimeve, kontratën e ka nënshkruar në emër të shitësve D.SH., ish-kryetar i një njësie administrative, i cili dyshohet se kishte gjetur blerësin dhe kishte përcaktuar çmimin pa dijeninë e familjarëve. Shuma e shitjes ka kaluar në llogarinë e tij bankare dhe nuk u është dorëzuar pronarëve që rezultonin në dokumente.

Regjistrimi i kalimit të pronësisë është kryer më 14 shkurt 2023 në Kadastrën Fier, pa u kryer, sipas Prokurorisë, verifikimet e detyrueshme ligjore mbi titullin e pronësisë dhe përputhjen e palëve shitëse me pronarët e regjistruar.

Një tjetër element i hetimit është fakti se, pas depozitimit të kallëzimit, D.SH. dyshohet se u ka dorëzuar personave të dëmtuar 15 mijë euro në para në dorë, me qëllim tërheqjen e kallëzimit.

Gjatë kontrollit në banesën e ish-drejtorit të Kadastrës Fier, A.V., hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar në një sirtar të mbyllur me çelës shtatë zarfe me para, ku ishin shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Në total janë sekuestruar 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Po ashtu, janë gjetur 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.

Për këtë çështje, në masën “Arrest në burg” janë lënë:

  • D.SH., ish-kryetar i njësisë administrative, i dyshuar për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
  • A.V., ish-drejtor i Kadastrës Fier, i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
  • F.B., ish-specialist jurist në Kadastrën Fier, i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
  • A.H., notere në Fier, e dyshuar për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit.

Ndërsa A.J., ish-specialiste hartografe në Kadastrën Fier, është lënë me detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore dhe ndalim të daljes jashtë shtetit.

Prokuroria bën me dije se nga hetimet kanë rezultuar dyshime se me të njëjtën mënyrë veprimi mund të jenë tjetërsuar edhe prona të tjera shtetërore. Hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë së tyre penale.