Tjetërsimi i pronave në Fier, 4 persona me arrest në burg, një grua me dy masa sigurie

Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për pesë personat nën hetim në kuadër të çështjes së tjetërsimit të pronave.

Sipas vendimit të shpallur më 11 nëntor 2026, masa e sigurisë “arrest në burg” është caktuar për katër persona: Dilaver Shyti , Arben Voja., Fjorelo Bida dhe Anila Haxhia

D.Sh. dyshohet për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërsa A.V. dhe F.B. dyshohen për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim. Për A.H. gjykata ka caktuar arrest në burg për dyshimin e falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre, në bashkëpunim.

Për personin e pestë nën hetim, Arbina Jaupaj gjykata ka caktuar dy masa sigurie: “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në zbatim të vendimit, Arbina Jaupaj duhet të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Fier, të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00. Gjithashtu, është urdhëruar sekuestrimi dhe bllokimi i pasaportës, si dhe ndalimi i largimit nga Shqipëria pa autorizimin e gjykatës.

Vendimi është shpallur në Fier më 11 nëntor 2026. Palët kanë të drejtë ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.