Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar qytetarët për qarkullimin e mesazheve mashtruese (phishing), të cilat përdorin emrin e institucionit për të përvetësuar të dhëna personale dhe bankare.
Në këto mesazhe pretendohet se llogaria bankare e marrësit është pezulluar dhe i kërkohet të klikojë në një lidhje për të përditësuar të dhënat.
Banka sqaron se këto mesazhe janë të rreme dhe nuk kanë asnjë lidhje me institucionin.
Qytetarëve u bëhet thirrje të mos klikojnë në lidhjet e përfshira në mesazhe dhe të mos u përgjigjen atyre. Gjithashtu, nuk duhet të japin të dhëna personale, numra kartash bankare, fjalëkalime, PIN apo kode njëpërdorimëshe.
Në rast se dikush ka ndarë të dhënat e tij ose konstaton veprime të paautorizuara në llogari, duhet të kontaktojë menjëherë bankën përmes kanaleve zyrtare.
Banka e Shqipërisë u kërkon qytetarëve të raportojnë çdo rast të tillë pranë organeve kompetente.










