Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, konfirmohet në Korçë

Shqipëria ka regjistruar rastin e parë të Etheve të Nilit Perëndimor për këtë vit. Rasti është diagnostikuar më 1 gusht në qarkun e Korçës dhe është raportuar edhe në Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“U diagnostikua në fillim të këtij muaji”, deklaroi epidemiologia e ISHP-së, Adela Vasili.

Shqipëria tashmë është përfshirë në hartën europiane të rasteve me këtë infeksion. Sipas të dhënave të përmendura nga ISHP, në Itali janë raportuar 311 raste, në Greqi 157, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 37 raste.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shenjat e para mund të ngjajnë me një gjendje gripale dhe përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella. Në raste të rënda, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë encefalit.

“Nis si një grip, por shkakton encefalite, nuk ka vend për panik”, u shpreh epidemiologia Vasili.

Pas konfirmimit të rastit, epidemiologët e Institutit të Shëndetit Publik kanë nisur hetimet në të gjithë qarkun e Korçës për të verifikuar praninë e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin.

“Mushkonja infektohet nga zogjtë ose kuajt e më pas nga pickimi. Ne kemi nisur të bëjmë hetimin atje”, deklaroi Vasili.

ISHP ka kryer më herët procese dezinsektimi në zonat bregdetare gjatë periudhës së shumimit të mushkonjave. Ndërkohë, epidemiologët u bëjnë thirrje bashkive të shtojnë masat për dezinsektimin dhe dezinfektimin e zonave problematike, veçanërisht pranë vendgrumbullimeve të mbetjeve, ku krijohen kushte të favorshme për shumimin e mushkonjave.