Reuters: Kaskada e Drinit mbron Shqipërinë nga goditja e krizës globale të energjisë

Rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përplasja mes Iranit dhe Izraelit kanë trazuar tregjet globale të naftës dhe gazit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në shumë vende. Megjithatë, sipas një analize të Reuters, Shqipëria po ndjen më pak ndikim falë varësisë së lartë nga hidroenergjia.

Lumi Drin, që përshkon veriun e vendit, së bashku me kaskadën e digave të ndërtuara dekada më parë, siguron mbi 90% të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri. Kjo ka ndihmuar në mbajtjen më të qëndrueshme të çmimeve të energjisë në një periudhë kur tregjet ndërkombëtare po përballen me luhatje të forta.

Reuters vëren se vendet që mbështeten më shumë tek burimet e rinovueshme kanë qenë më të mbrojtura nga rritja e kostove pas përshkallëzimit të konfliktit më 28 shkurt.

Ministria shqiptare e Energjisë ka deklaruar se hidroenergjia ka luajtur një rol kyç në zbutjen e efekteve të krizës, por thekson se vendi nuk është plotësisht i izoluar, pasi në periudha me konsum të lartë Shqipëria vijon të importojë energji.

Analistët paralajmërojnë se shtetet që varen më shumë nga gazi dhe nafta, si Italia, Gjermania dhe Greqia, po përballen me rritje më të forta të çmimeve dhe presione inflacioniste.

Sipas Reuters, rritja e prodhimit nga burimet e rinovueshme po rezulton një faktor kyç për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në Europë.

Transaksionet mbi 10 mijë euro do të ndalohen

Qeveria ka vendosur një kufi të ri për përdorimin e parasë cash në transaksionet tregtare, në kuadër të projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas draftit, personat që tregtojnë mallra ose ofrojnë shërbime mund të pranojnë ose të kryejnë pagesa në para fizike vetëm deri në shumën 10 mijë euro, ose vlerën ekuivalente në lekë apo valutë të huaj. Kufiri do të vlejë edhe në rastet kur transaksioni ndahet në disa pagesa që duken të lidhura mes tyre.

Projektligji parashikon gjithashtu që ky prag mund të ulet më tej nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, bazuar në vlerësimin e riskut në ekonomi.

Nga ky kufizim përjashtohen transaksionet ndërmjet personave fizikë që nuk veprojnë në cilësi profesionale, si edhe pagesat apo depozitat e kryera në ambientet e institucioneve të kreditit, emetuesve të parasë elektronike dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave.

Pagesat ose depozitat që tejkalojnë kufirin e lejuar do të raportohen pranë autoritetit përgjegjës brenda afateve të përcaktuara. Shkelja e këtij rregulli do të konsiderohet kundërvajtje administrative dhe do të shoqërohet me gjoba për bizneset apo profesionistët që e shkelin.

Drafti parashikon edhe fleksibilitet në raste emergjente. Në situata të forcës madhore, kur mjetet elektronike të pagesës janë jashtë funksionit në nivel kombëtar, Këshilli i Ministrave mund të pezullojë përkohësisht kufizimin deri në rikthimin e normalitetit.

Ky ndryshim synon të luftojë ekonominë informale dhe të rrisë gjurmueshmërinë e transaksioneve financiare në vend.

Rama paralajmëron Spiropalin me përjashtim nga grupi i PS: Herën e tretë del jashtë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përjashtimin e deputetes Elisa Spiropali nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, pas qëndrimeve të saj të fundit dhe postimeve në rrjetet sociale.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se gjatë fjalës së tij në fund të takimit të kësaj të hëne, Rama është ndalur për disa minuta te Spiropali, duke përmendur mungesën e saj në votime dhe reagimet publike.

“Herën e parë nuk erdhe në votim. Herën e dytë bëre çarçafin dhe herën e tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi”, mësohet të ketë thënë Rama.

Sipas të njëjtave burime, kryeministri ka theksuar se në parti nuk mund të krijohen “drama”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt deputetes.

“Tek puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po të drejtohem ty Elisa. Nuk dua të krijoni situata në parti. Partia ka dy ngjyra, bardhë e zi: ose bardhë dhe me ne, ose zi dhe përballë nesh”, citohet të ketë deklaruar ai.

Rama mësohet të ketë shtuar se kjo ishte edhe një përgjigje për postimet e Spiropalit në rrjetet sociale.

Në fund të mbledhjes, sipas burimeve, Elisa Spiropali ka kërkuar të marrë fjalën, por nuk është lejuar nga kryeministri.

“Ti s’mund të replikosh këtu, ti nuk merr fjalë më, me ty është investuar PS dhe unë”, mësohet të ketë thënë Rama në mbyllje të debatit.

Rama kërkon më shumë angazhim në terren/ Fokus integrimi në BE

Ka përfunduar pas rreth 4 orësh mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.

Burime nga takimi bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar deputetëve që të jenë më të pranishëm në terren dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me pushtetin lokal për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i diskutimeve ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri mësohet se ka theksuar se procesi po ecën me ritëm të shpejtë, duke kërkuar më shumë komunikim me qytetarët dhe biznesin, ndërsa sigurinë ushqimore e ka cilësuar si një nga sfidat kryesore.

Në mbledhje kanë raportuar edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha si dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, të cilët kanë paraqitur ecurinë e negociatave me BE-në, me theks të veçantë në Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Gjatë diskutimeve është analizuar progresi i deritanishëm, sfidat që mbeten për t’u adresuar dhe nevoja për rritjen e koordinimit mes institucioneve për përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit.

Kjo mbledhje vjen pas dorëzimit në Kuvend të raportit të qeverisë për ecurinë e negociatave, ku evidentohen arritje në disa fusha, por edhe nevoja për përparim të mëtejshëm, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve.

Kryeministri Rama ka rikonfirmuar objektivin për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Në fund të mbledhjes janë lënë detyra konkrete për ministritë përkatëse, ndërsa priten detaje të tjera në ditët në vijim.

Kok*inë në automjet, arrestohet 38-vjeçari në Fier/ Procedohet një 16-vjeçar pa patentë, sherr mes të rinjve në Lushnjë

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin J. S., 38 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, pasi drejtonte automjet, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit L. K., 20 vjeç dhe një 15-vjeçar, si dhe shpallën në kërkim një 15-vjeçar, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte një 22-vjeçar, për motive të dobëta.

Në Komisariatin e Policisë Fier ka kallëzuar shtetasi Sh. Y., 66 vjeç, banues në fshatin Daullas, se ka konstatuar të dëmtuar varrin e xhaxhait të tij. Po punohet identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Bilanci i SPAK/ Më pak arreste me burg, më shumë goditje ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar bilancin vjetor të punës, duke nxjerrë në pah rritje të hetimeve për korrupsion, goditje ndaj krimit të organizuar dhe një qasje të re për masat e sigurisë.

Në raportin e paraqitur në KLP nga kreu i SPAK, Altin Dumani, evidentohet një rritje me 7% e çështjeve të përfunduara, ndërsa vendimet e Gjykatës së Posaçme janë rritur me 5.5%, nga 72 në 76 vendime. Sipas raportit, 87% e çështjeve kanë përfunduar me vendime fajësie, konkretisht 66 nga 76 raste.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me masën e sigurisë “arrest me burg”, e cila ka rënë me 53.4%, nga 236 raste në vitin 2024 në vetëm 110 raste në vitin 2025. SPAK thekson se kjo reflekton zbatimin e parimit të proporcionalitetit, duke e konsideruar arrestin si masë të fundit.

Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, çështjet e reja janë rritur me 18%, nga 186 në 220, ndërsa çështjet e përfunduara janë rritur me 12%, nga 189 në 256. Gjatë vitit janë dërguar në gjykatë 24 procedime penale me 124 të pandehur për korrupsion dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hetuar gjatë vitit 2025, 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Edhe në luftën kundër krimit të organizuar raportohen rezultate pozitive. Edhe pse hetimet e reja kanë qenë më të pakta, numri i çështjeve të përfunduara është rritur me 3.4%, ndërsa numri i personave të dërguar për gjykim është rritur me 36.6%.

Në fokus të raportit ishte edhe hetimi financiar. Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale 45.4 milionë euro, ku për herë të parë përfshihen edhe kriptovaluta me vlerë rreth 12.4 milionë euro.

SPAK theksoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjenci si Eurojust, Europol, FBI dhe DEA. Kërkesat për ndihmë juridike nga autoritetet e huaja janë rritur me 35.7%, duke konfirmuar zgjerimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Identifikohen autorët e at*ntatit në Lezhë 

Screenshot

Policia ka identifikuar tre autorët e atentatit të ndodhur ditën e djeshme në Lezhë ku humbën jetën Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij. 

Bëhet fjalë për shtetasit Adriano Mhillaj 22 vjeç, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç.

Mesohet se një prej tyre, Renato Mhillaj është djali dhe dy të tjerët familjarë të Gegë Mëhillit, për vrasjen e të cilit akuzohej Kreshnik Mujeci. Ai u arrestua në vitin 2017, së bashku me vëllezërit e tij, Lin dhe Jozef Muçaj.