Qeveria ka vendosur një kufi të ri për përdorimin e parasë cash në transaksionet tregtare, në kuadër të projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Sipas draftit, personat që tregtojnë mallra ose ofrojnë shërbime mund të pranojnë ose të kryejnë pagesa në para fizike vetëm deri në shumën 10 mijë euro, ose vlerën ekuivalente në lekë apo valutë të huaj. Kufiri do të vlejë edhe në rastet kur transaksioni ndahet në disa pagesa që duken të lidhura mes tyre.
Projektligji parashikon gjithashtu që ky prag mund të ulet më tej nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, bazuar në vlerësimin e riskut në ekonomi.
Nga ky kufizim përjashtohen transaksionet ndërmjet personave fizikë që nuk veprojnë në cilësi profesionale, si edhe pagesat apo depozitat e kryera në ambientet e institucioneve të kreditit, emetuesve të parasë elektronike dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave.
Pagesat ose depozitat që tejkalojnë kufirin e lejuar do të raportohen pranë autoritetit përgjegjës brenda afateve të përcaktuara. Shkelja e këtij rregulli do të konsiderohet kundërvajtje administrative dhe do të shoqërohet me gjoba për bizneset apo profesionistët që e shkelin.
Drafti parashikon edhe fleksibilitet në raste emergjente. Në situata të forcës madhore, kur mjetet elektronike të pagesës janë jashtë funksionit në nivel kombëtar, Këshilli i Ministrave mund të pezullojë përkohësisht kufizimin deri në rikthimin e normalitetit.
Ky ndryshim synon të luftojë ekonominë informale dhe të rrisë gjurmueshmërinë e transaksioneve financiare në vend.










