Rama kërkon më shumë angazhim në terren/ Fokus integrimi në BE

Ka përfunduar pas rreth 4 orësh mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.

Burime nga takimi bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar deputetëve që të jenë më të pranishëm në terren dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me pushtetin lokal për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i diskutimeve ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri mësohet se ka theksuar se procesi po ecën me ritëm të shpejtë, duke kërkuar më shumë komunikim me qytetarët dhe biznesin, ndërsa sigurinë ushqimore e ka cilësuar si një nga sfidat kryesore.

Në mbledhje kanë raportuar edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha si dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, të cilët kanë paraqitur ecurinë e negociatave me BE-në, me theks të veçantë në Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Gjatë diskutimeve është analizuar progresi i deritanishëm, sfidat që mbeten për t’u adresuar dhe nevoja për rritjen e koordinimit mes institucioneve për përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit.

Kjo mbledhje vjen pas dorëzimit në Kuvend të raportit të qeverisë për ecurinë e negociatave, ku evidentohen arritje në disa fusha, por edhe nevoja për përparim të mëtejshëm, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve.

Kryeministri Rama ka rikonfirmuar objektivin për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Në fund të mbledhjes janë lënë detyra konkrete për ministritë përkatëse, ndërsa priten detaje të tjera në ditët në vijim.