Bilanci i SPAK/ Më pak arreste me burg, më shumë goditje ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar bilancin vjetor të punës, duke nxjerrë në pah rritje të hetimeve për korrupsion, goditje ndaj krimit të organizuar dhe një qasje të re për masat e sigurisë.

Në raportin e paraqitur në KLP nga kreu i SPAK, Altin Dumani, evidentohet një rritje me 7% e çështjeve të përfunduara, ndërsa vendimet e Gjykatës së Posaçme janë rritur me 5.5%, nga 72 në 76 vendime. Sipas raportit, 87% e çështjeve kanë përfunduar me vendime fajësie, konkretisht 66 nga 76 raste.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me masën e sigurisë “arrest me burg”, e cila ka rënë me 53.4%, nga 236 raste në vitin 2024 në vetëm 110 raste në vitin 2025. SPAK thekson se kjo reflekton zbatimin e parimit të proporcionalitetit, duke e konsideruar arrestin si masë të fundit.

Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, çështjet e reja janë rritur me 18%, nga 186 në 220, ndërsa çështjet e përfunduara janë rritur me 12%, nga 189 në 256. Gjatë vitit janë dërguar në gjykatë 24 procedime penale me 124 të pandehur për korrupsion dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hetuar gjatë vitit 2025, 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Edhe në luftën kundër krimit të organizuar raportohen rezultate pozitive. Edhe pse hetimet e reja kanë qenë më të pakta, numri i çështjeve të përfunduara është rritur me 3.4%, ndërsa numri i personave të dërguar për gjykim është rritur me 36.6%.

Në fokus të raportit ishte edhe hetimi financiar. Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale 45.4 milionë euro, ku për herë të parë përfshihen edhe kriptovaluta me vlerë rreth 12.4 milionë euro.

SPAK theksoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjenci si Eurojust, Europol, FBI dhe DEA. Kërkesat për ndihmë juridike nga autoritetet e huaja janë rritur me 35.7%, duke konfirmuar zgjerimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit ndërkombëtar.