ODIHR kërkon më shumë transparencë në financimin e partive politike në Shqipëri


OSBE/ODIHR ka publikuar një opinion urgjent të ndërmjetëm mbi projektligjin për financimin e partive politike në Shqipëri, ku vlerëson pozitivisht synimin për rritjen e transparencës, raportimit financiar dhe kontrollit të financave politike, por njëkohësisht evidenton një sërë boshllëqesh që duhen adresuar për zbatimin efektiv të tij.

Sipas raportit, projektligji sjell disa risi si krijimi i një platforme elektronike për raportim financiar në kohë reale, forcimi i detyrimeve për transparencë, kufizime më të forta për financimet dhe transaksionet cash, si dhe zgjerim të kompetencave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu parashikohen rregulla më të detajuara për shpërndarjen e fondeve publike, përfshirë stimuj për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve.

ODIHR vlerëson se, nëse zbatohet siç duhet, ligji mund të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe në krijimin e kushteve më të barabarta për partitë politike, por paralajmëron edhe për rreziqe, veçanërisht lidhur me financimet indirekte dhe shmangien e rregullave përmes donacioneve të fshehura apo palëve të treta.

Në rekomandimet e tij, ODIHR kërkon ndalimin e donacioneve në emër të personave të tjerë, deklarimin e profesionit dhe punëdhënësit të donatorëve, si dhe transparencë mbi pronësinë përfituese të kompanive që financojnë partitë. Po ashtu sugjerohen rregulla më të qarta për kreditë ndaj partive, kontributet në natyrë dhe publikimin e raporteve financiare.

Raporti thekson gjithashtu nevojën për harmonizim më të qartë mes projektligjit dhe Kodit Zgjedhor për të shmangur mbivendosjet dhe paqartësitë ligjore, ndërsa nënvizon se suksesi i reformës do të varet nga kapacitetet financiare, njerëzore dhe hetimore të KQZ-së.