Projektligj: Hapet mundësia për shitjen e rreth 100 mijë hektarëve tokë bujqësore për investitorë të huaj
Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj që synon të lehtësojë procedurat për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek persona fizikë dhe juridikë të huaj, me qëllim nxitjen e investimeve në bujqësi dhe agrobiznes.
Sipas draftit “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, synohet krijimi i një kuadri ligjor të qartë dhe të qëndrueshëm për blerjen dhe zhvillimin e tokës bujqësore nga investitorë të huaj, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e interesave kombëtare përmes kufizimeve në zona me rëndësi strategjike, ushtarake, ekologjike, historike dhe arkeologjike.
Në dokument theksohet se mungesa e një baze të qartë ligjore për këtë proces ka krijuar pasiguri juridike dhe ka penguar investitorët potencialë. Projektligji përfshin si tokat private, ashtu edhe ato shtetërore, përfshirë rreth 100 mijë hektarë tokë bujqësore të pandarë, si dhe rreth 25 mijë hektarë tokë shtetërore me origjinë nga ish-ndërmarrjet bujqësore.
Sipas propozimit, për investitorët e huaj parashikohet kufizim blerjeje deri në 2 hektarë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në nivel republike, si një masë për të shmangur përqendrimin e tokës në pak duar.
Në rastet e tokës shtetërore, në proces përfshihen edhe bashkitë përkatëse, por vendimmarrja përfundimtare i mbetet ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërkohë, në relacion paralajmërohet se një nga rreziqet kryesore të projektligjit është përqendrimi i tokës bujqësore në një numër të kufizuar investitorësh të huaj, si dhe mungesa e mekanizmave të fortë të kontrollit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet vendore.










