Rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përplasja mes Iranit dhe Izraelit kanë trazuar tregjet globale të naftës dhe gazit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në shumë vende. Megjithatë, sipas një analize të Reuters, Shqipëria po ndjen më pak ndikim falë varësisë së lartë nga hidroenergjia.
Lumi Drin, që përshkon veriun e vendit, së bashku me kaskadën e digave të ndërtuara dekada më parë, siguron mbi 90% të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri. Kjo ka ndihmuar në mbajtjen më të qëndrueshme të çmimeve të energjisë në një periudhë kur tregjet ndërkombëtare po përballen me luhatje të forta.
Reuters vëren se vendet që mbështeten më shumë tek burimet e rinovueshme kanë qenë më të mbrojtura nga rritja e kostove pas përshkallëzimit të konfliktit më 28 shkurt.
Ministria shqiptare e Energjisë ka deklaruar se hidroenergjia ka luajtur një rol kyç në zbutjen e efekteve të krizës, por thekson se vendi nuk është plotësisht i izoluar, pasi në periudha me konsum të lartë Shqipëria vijon të importojë energji.
Analistët paralajmërojnë se shtetet që varen më shumë nga gazi dhe nafta, si Italia, Gjermania dhe Greqia, po përballen me rritje më të forta të çmimeve dhe presione inflacioniste.
Sipas Reuters, rritja e prodhimit nga burimet e rinovueshme po rezulton një faktor kyç për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në Europë.










