Dobësimi i euros në tregun shqiptar vijon të thellohet, duke prekur nivele të reja minimale në kulmin e sezonit turistik. Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e kuoton euron në 92.44 lekë, ndërsa në tregun valutor ajo blihet nga disa banka dhe pika këmbimi me vlera dukshëm më të ulëta.
Në bankat e nivelit të dytë, euro po blihet rreth 90.5, 90.4 dhe 90.2 lekë. Ndërkohë, një prej bankave më të mëdha në vend e ka kuotuar këtë të martë euron në 89.4 lekë, një nga nivelet më të ulëta të regjistruara.
Rënia e monedhës europiane është përshpejtuar gjatë muajve të fundit. Sipas të dhënave të paraqitura, në harkun e tre muajve euro ka kaluar nga 95.42 lekë në 89.4 lekë, duke shënuar një zhvlerësim prej rreth 6.3% kundrejt lekut.
Në forcimin e lekut dhe dobësimin e euros kanë ndikuar flukset e valutës nga turistët gjatë sezonit veror, remitancat e emigrantëve, rritja e investimeve të huaja, si dhe qarkullimi informal i valutës në ekonomi.
Presioni në rënie nuk është kufizuar vetëm te euroja. Edhe dollari amerikan ka pësuar zhvlerësim, duke u kuotuar rreth 79.23 lekë, ndërsa paundi britanik ka zbritur nën 106 lekë.
Forcimi i lekut kundrejt valutave të huaja po krijon efekte të ndryshme në ekonomi, ndërsa sektori i eksportuesve, familjet që marrin të ardhura në euro dhe bizneset që operojnë me valutë janë ndër më të ekspozuarit ndaj këtij zhvlerësimi.










