Aksidenti në Fier-Seman, policia jep detaje

Fier/ Informacion paraprak

Rreth orës 17:10, në aksin rrugor “Fier-Seman”, shtetasi A. K., 31 vjeç, duke drejtuar automjetin është përfshirë në një aksident rrugor me biçiklistin, shtetasin B. Xh., rreth 65 vjeç.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje shtetasi B. Xh.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit shtetasin A. K., për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

27 mijë procedime penale në vend gjatë 2025, Fieri renditet mes qarqeve me më shumë raste me 1,915 hetime

Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku rezulton se në të gjithë vendin janë regjistruar 27,049 procedime penale.

Sipas raportit të prokurorise ,numrin më të lartë të procedimeve e ka Prokuroria e Tiranës me 9,904 raste, e ndjekur nga Durrësi me 2,573, Korça me 2,023, Shkodra me 1,976, Fieri me 1,915 dhe Vlora me 1,897 procedime.

Ndërkohë, gjatë vitit 2025, prokurorët kanë përdorur përgjimin e komunikimeve elektronike si mjet prove në 356 procedime penale gjatë fazës së hetimeve paraprake.

Raporti tregon se janë realizuar përgjime për 1,771 pajisje fundore, në përdorim të 1,642 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi.

Në total janë ekzekutuar 822 vendime përgjimi të autorizuara nga gjykata dhe 406 urdhra apo autorizime të prokurorëve.

Në rekomandimet për vitin në vijim, Prokuroria e Përgjithshme vendos theksin te forcimi i kapaciteteve profesionale, hetimet financiare e kibernetike, përmirësimi i menaxhimit të çështjeve, përdorimi i teknologjisë dhe krijimi i task-forcave për hetimin e çështjeve komplekse si krimi i organizuar dhe krimet financiare.

Tre vite pas shpalljes së fituesit, drejt firmosjes koncesioni për aksin Kashar–Lekaj

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të nënshkruajë brenda 2-3 javësh kontratën koncesionare për aksin Kashar–Lekaj, pjesë e autostradës Milot–Fier. Ministri Enea Karakaçi bëri të ditur se projekti ndodhet në fazën e oponencës teknike dhe pas firmosjes do të nisë zbatimi i punimeve.

Fitues i garës është një bashkim prej 7 operatorësh: “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”, me një investim të parashikuar prej rreth 474.8 milionë euro pa TVSH.

Segmenti do të ketë gjatësi totale 33.6 kilometra, ndërsa objekt i koncesionit janë 26.6 kilometra, pasi 7 kilometra përfshihen në bypass-in e Tiranës, i cili po ndërtohet veçmas. Koncesioni do të zgjasë 35 vite.

Autostrada Milot–Fier, me gjatësi totale 114 kilometra, është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Segmenti Thumanë–Kashar është përfunduar dhe është hapur për qarkullim, ndërsa për lotet Milot–Thumanë dhe Lekaj–Fier pritet gjithashtu nisja e punimeve. Bypass-i i Tiranës po financohet nga buxheti i shtetit dhe punimet kanë nisur

Lëvizje të reja në Policinë e Shtetit, emërime në disa drejtori kyçe

Këtë të mërkurë kanë vijuar lëvizjet dhe emërimet në disa drejtori dhe struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit, në kuadër të riorganizimeve të brendshme.

Në sektorin e hetimit të krimit ekonomik është emëruar Florjan Rrasa, i cili do të mbajë një nga postet kyçe në luftën kundër kriminalitetit financiar.

Ndryshime janë bërë edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku Taulant Gjoka është emëruar zëvendësdrejtor për rendin.

Ndërkohë, Edvin Peçi është larguar nga drejtimi i Komisariatit nr. 6 në Tiranë, ndërsa lëvizje janë regjistruar edhe në sektorin e Antidrogës në Policinë e Tiranës.

Në strukturat kufitare, Arbër Zemani është emëruar Drejtor i Kufirit në Vlorë, ndërsa drejtori i mëparshëm është transferuar si specialist në Drejtorinë e Antiterrorit.

Në Shkodër, drejtimin e Kufirit e ka marrë Agim Basha, ndërsa në Durrës është emëruar Altin Lila. Ish-drejtori i Kufirit në Durrës, Ermal Lila, është transferuar si specialist në Policinë e Shtetit.

Këto ndryshime vijnë në kuadër të ristrukturimeve që po vijojnë në disa nivele të Policisë së Shtetit.

Auron Tare ngre shqetësimin për fondet e Parkut “Bylis”: Askush nuk flet për 6.25 milionë eurot e BE-së

Aktivisti dhe gazetari Auron Tare ka ngritur shqetësimin për gjendjen e Parkut Kombëtar të Bylisit, duke denoncuar mungesën e transparencës për një fond prej 6 milionë e 250 mijë eurosh të akorduara nga Bashkimi Europian për këtë qytet antik.

Përmes një reagimi publik, Tare shprehet se prej gjashtë vitesh nuk ka asnjë informacion të qartë mbi fatin e këtij fondi dhe punimet e realizuara në Bylis.

Sipas tij, as ministrat e Kulturës, as deputetët e opozitës dhe maxhorancës që përfaqësojnë zonën, nuk kanë dhënë shpjegime për projektin.

Ai kritikon gjithashtu mediat kombëtare, arkeologët, historianët dhe restauratorët për heshtjen ndaj situatës në këtë sit të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Të gjithë kanë heshtur dhe askush nuk flet në mbrojtje të trashëgimisë kulturore shqiptare,” shkruan Tare ne nje status te tij ne rrjetet sociale

34 aksidente me 19 viktima gjatë prillit, ekspertët ngrejnë alarmin për sigurinë rrugore

Gjatë muajit prill janë raportuar 34 aksidente rrugore me pasojë 19 viktima në vend. Ekspertët e sigurisë rrugore thonë se shkaqet kryesore mbeten sjellja e drejtuesve të mjeteve, infrastruktura problematike dhe sinjalistika e dobët në rrugë.

Ndërkohë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT për muajin mars 2026, në Shqipëri janë regjistruar 89 aksidente rrugore, ku 117 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur.

Bilanci i policisë në Fier: 2 të arrestuar, disa procedime penale

Policia e Fierit ka arrestuar dy drejtues automjetesh për shkelje të qarkullimit rrugor, ndërsa ka nisur procedime penale për disa shtetas të përfshirë në raste aksidentesh, narkotikësh, njoftimi të rremë dhe dëmtim prone.

Në pranga ranë një 41-vjeçar nga Zharrneci i Divjakës, i cili dyshohet se drejtonte mjetin pa leje dhe në gjendje të dehur, duke humbur kontrollin dhe u përplasur me një mur, si dhe një 60-vjeçar nga Fieri, i kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, nisi procedimi penal për një 71-vjeçar nga Zhërrneci, i cili dyshohet se aksidentoi një këmbësore që ndodhet jashtë rrezikut për jetën, si dhe për një 20-vjeçar nga Ballshi që drejtonte automjetin pa leje.

Po ashtu, u proceduan penalisht dy persona pasi iu gjetën doza të dyshuara kanabisi gjatë kontrollit fizik.

Në një tjetër rast, një 39-vjeçar nga Patosi u procedua për njoftim të rremë në sallën operative, ndërsa një 57-vjeçar nga Divjaka akuzohet për dëmtim të të mbjellave në tokën e një shtetasi tjetër.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Vuçiç: Më sulmojnë me shpifje për origjinën time, përfshijnë edhe shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë podcastit The Rest Is Politics: Leading, ku foli për sulmet personale dhe shpifjet që, sipas tij, i janë bërë.

Gjatë intervistës, Vuçiç tha se kundërshtarët e tij përdorin narrativa ekstreme për ta diskredituar, duke përfshirë edhe pretendime për origjinën e tij familjare dhe referenca ndaj shqiptarëve.

Ai deklaroi se është akuzuar padrejtësisht me pretendime fyese ndaj nënës së tij dhe aludime për lidhje me shqiptarët, duke e cilësuar këtë si pjesë të një fushate sulmesh personale.

Deklarata e tij pritet të shkaktojë reagime, për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve etnike në rajon.