Bordi i Transparencës ul çmimin e karburanteve

Bordi i Transparencës në datë 29 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 180 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 29 ora 11.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Kushtetuesja shqyrton kërkesën e Ajola Xoxës për shfuqizimin e kontrolleve dhe sekuestrimeve

Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim mbi bazë dokumentesh kërkesën e Ajola Xoxës, e cila kundërshton tre vendime të gjykatave më të ulëta.

Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës kërkon shpalljen si antikushtetuese të vendimeve që lidhen me kontrollet dhe sekuestrimet, duke pretenduar se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor.

Palë në këtë çështje është edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila pritet të paraqesë me shkrim kundërshtimet ndaj pretendimeve të Xoxës dhe të subjektit tjetër kërkues në proces, shoqërisë “Partners Law”.

Ndryshime në Policinë e Shtetit, emërime të reja në drejtori dhe komisariate

Policia e Shtetit ka bërë ndryshime në disa struktura drejtuese, me emërime të reja në drejtoritë e kufirit dhe komisariate.

Arbër Zemani është emëruar Drejtor i Kufirit në Vlorë, ndërsa drejtuesi i mëparshëm është transferuar si specialist në Drejtorinë e Antiterrorit.

Agim Basha, nga Akademia e Sigurisë, është emëruar Drejtor i Kufirit në Shkodër.

Altin Lila merr drejtimin e Kufirit në Durrës, ndërsa Ermal Lila është emëruar specialist në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, Alfred Cenaj është caktuar shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë.

Lushnja çel panairin ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026”

Në qytetin e Lushnjës është çelur panairi ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026”, që këtë vit zhvillohet në edicionin e pestë.

Nga 28 deri më 30 prill, sheshi qendror i qytetit do të mirëpresë mbi 100 fermerë, kompani, ekspertë dhe inovatorë nga Shqipëria dhe rajoni, duke e kthyer Lushnjën në një pikë takimi për zhvillimet më të fundit në sektorin bujqësor.

Në ceremoninë hapëse mori pjesë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili e cilësoi panairin si një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe zhvillimi për bujqësinë shqiptare.

Sipas tij, panairi krijon mundësi për shkëmbim përvojash mes bizneseve shqiptare dhe atyre nga rajoni e Europa, si edhe për lidhje kontratash që ndihmojnë eksportin e produkteve vendase.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e organizimit të fermerëve përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, si dhe garantoi vijimin e mbështetjes për sektorin përmes Skemës Kombëtare dhe paketave financiare.

Pas ceremonisë hapëse, ministri vizitoi stendat e ekspozuesve, ku prezantohen teknologji të reja, produkte vendase dhe mundësi bashkëpunimi për modernizimin e sektorit bujqësor.

Në ditën e parë të panairit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, mes tyre edhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.

Fier, goditet rrjeti i këmbimit valutor të paligjshëm – 3 të arrestuar, sekuestrohen miliona lekë dhe valuta të huaja

DVP Fier

Ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor, në mënyrë të paligjshme, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë, paund dhe franga).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në vijim të kontrolleve në terren dhe verifikimeve në subjekte të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive që kryhen në informalitet, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor e koduar “Transaksioni”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
-R. K., 64 vjeç, banues në Lushnjë;
-E. Sh., 67 vjeç, banues në Fier;
-A. I., 57 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas dyshohet se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor në Fier dhe në Lushnjë, pa licencën nga organet kompetente.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga, 2 500 korona, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 5 celularë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u vu në hetim shtetasi E. K., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një shumë e vogël parash e përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Spiropali reagon pas përplasjes me Ramen: “Nëse kritika është arsye për përjashtim, më përjashto”

Pas raportimeve për një përplasje në mbledhjen e Partisë Socialiste, ministrja Elisa Spiropali ka reaguar me një deklaratë të gjatë, ku thekson se mospajtimi brenda partisë nuk duhet të trajtohet si ndëshkim publik.

Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se debati i brendshëm politik nuk duhet të kthehet në “spektakël ndëshkimor”, duke shtuar se problemi nuk është mospajtimi, por, sipas saj, frika ndaj tij.

Ajo thekson se kritikat e saj nuk janë personale ndaj Partisë Socialiste, por lidhen me mënyrën e funksionimit të partisë dhe institucioneve, duke përmendur rrezikun e “ndarjes së partisë nga shteti” dhe të një modeli që, sipas saj, mund të dobësojë përfaqësimin politik.

“Nëse qëndrimi im konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë më përjashto”, shprehet Spiropali, duke theksuar se mbron parime dhe jo interesa personale apo poste.

Në deklaratë, ajo nënvizon se mospajtimi brenda një force politike nuk duhet të shihet si thyerje e besnikërisë, por si një formë e debatit të shëndetshëm politik.

Sipas saj, një parti ku nuk lejohet kritika rrezikon të kthehet në një strukturë të mbyllur, ku vendimet nuk sfidohen dhe mungon vetëkorrigjimi.

 Përplasja me Ramën në mbledhjen e PS, reagon Elisa Spiropali

Reagimi i plotë:

Më përjashto

Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik.

Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.

Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas.

Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim.

Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto.

Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si shoë mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.

Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste.

Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik.

Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen.

Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.

Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike.

Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto.

Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto.

Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto.

Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto.

Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim.

Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë.

Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë.

Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat.

Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim.

Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto.

Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër tësaj.

Dhe kjo nuk është çështje personale. Është çështje se si kuptohet politika. Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?

Këto nuk janë pyetje për fatin tim, të cilin e bëj vetë pa ndihmën e askujt. Janë pyetje për mënyrën si qeveriset.

Kërcënimi për përjashtim nga grupi më shqetëson më pak se ideja se mund të normalizohet mendimi që një grupim politik duhet të funksionojë përmes frikës.

Një formacion politik ku askush nuk kundërshton, nuk është i fortë. Është i heshtur dhe duhet ruajtur nga zgripi.

Heshtja politike ka qenë gjithmonë paralajmërim i së keqes.

Jo rrallë, nuk tremb forca reale e kundërshtarit.

Tremb jehona që i bëhet frikës.

Shumë struktura kontrolli mbahen jo aq nga forca e tyre, sa nga përfytyrimi i rrejshëm që të tjerët kanë për forcën e tyre, për mekanizma që mbijetojnë nga frika që prodhojnë. Nëse nuk dakordësohemi as për kaq, më përjashto.

Nëse nuk respektohet e drejta të flas, madje dhe të bërtas, kur familja ime politike fillon të ketë frikë nga fjala, nuk ka dilemë, zgjidhja është 1, më përjashto.

Reagon ambasadorja e SHBA ne Greqi per takimin me Ramen

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka reaguar pas vizitës së saj në Tiranë dhe pjesëmarrjes në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Shqipërisë dhe kompanive amerikane.

Në një status të publikuar, ajo u shpreh e nderuar që mori pjesë në këtë aktivitet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë dhe objektivat e administratës amerikane në këtë drejtim.

“Isha e nderuar të udhëtoja në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të Presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar Kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për LNG-në amerikane”, shkruan ajo.

Sipas saj, marrëveshja me vlerë rreth 6 miliardë dollarë forcon sigurinë energjetike dhe atë kombëtare në rajon.

Ajo shtoi gjithashtu se bashkëpunimi mes SHBA-së, Shqipërisë dhe Greqisë e bën rajonin më të lidhur, më të sigurt dhe më të begatë.

Policia e Fierit arrestime dhe procedime për aksidente, dhunë dhe konflikte në disa zona

Screenshot

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasit K. M., 46 vjeç, dhe B. O., 68 vjeç, të dy banues në Fier, pasi automjeti që drejtonte shtetasi K. M. është përplasur me motomjetin që shtetasi B. O. e drejtonte në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi B. O., i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës. 

Gjithashtu, këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. D., 61 vjeç, banues në Berat, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin J. M., 63 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi J. M., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.    

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 21-vjeçar. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasin E. R., 46 vjeç, banues në fshatin Çermë Sektor, pasi dyshohet se gjatë një konflikti verbal për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin A.B., si dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj shtetases S. H. dhe vajzës së saj, shtetases K. H.    

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit G. S., 59 vjeç, G. S., 34 vjeç (djali i 59-vjeçarit) dhe M. D., 47 vjeç, pasi dyshohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.