Në qytetin e Lushnjës është çelur panairi ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026”, që këtë vit zhvillohet në edicionin e pestë.
Nga 28 deri më 30 prill, sheshi qendror i qytetit do të mirëpresë mbi 100 fermerë, kompani, ekspertë dhe inovatorë nga Shqipëria dhe rajoni, duke e kthyer Lushnjën në një pikë takimi për zhvillimet më të fundit në sektorin bujqësor.
Në ceremoninë hapëse mori pjesë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili e cilësoi panairin si një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe zhvillimi për bujqësinë shqiptare.
Sipas tij, panairi krijon mundësi për shkëmbim përvojash mes bizneseve shqiptare dhe atyre nga rajoni e Europa, si edhe për lidhje kontratash që ndihmojnë eksportin e produkteve vendase.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e organizimit të fermerëve përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, si dhe garantoi vijimin e mbështetjes për sektorin përmes Skemës Kombëtare dhe paketave financiare.
Pas ceremonisë hapëse, ministri vizitoi stendat e ekspozuesve, ku prezantohen teknologji të reja, produkte vendase dhe mundësi bashkëpunimi për modernizimin e sektorit bujqësor.
Në ditën e parë të panairit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, mes tyre edhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.










