Ervin Salianji dorëzon kandidaturën për kreun e PD përballë Berishës

Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të mërkurë në selinë e Partisë Demokratike, ku përfaqësuesi i ish-deputetit Ervin Salianji nuk ka mundur të dorëzojë dokumentacionin për kandidim në garën e brendshme.

Rreth mesditës, Orest Berberi, i autorizuar nga Salianji, është paraqitur pranë selisë blu për të dorëzuar dokumentet përkatëse. Ai ka qëndruar në ambientet e hyrjes dhe ka komunikuar me rojet e sigurisë për procedurën e dorëzimit.

Sipas deklarimeve të tij për mediat, atij i është bërë me dije se nuk kishte asnjë përfaqësues të administratës në zyrë për të pranuar dokumentacionin, duke e lënë kështu procesin të papërfunduar në atë moment.

Ngjarja ngre pikëpyetje mbi organizimin e procedurave të brendshme në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe si do të realizohet dorëzimi i kandidimit.

Bordi i Transparencës rrit çmimin e naftës

Bordi i Transparencës ka vendosur një rritje të re të çmimeve të karburanteve, duke e çuar çmimin e gazoilit në 208 lekë për litër, nga 206 lekë që ishte më herët, duke shënuar një rritje prej 2 lekësh.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e 30 prillit 2026, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 përcaktohet të jetë jo më shumë se 208 lekë/litër, ndërsa me shumicë 196 lekë/litër.

Edhe benzina është rishikuar, duke u vendosur në 185 lekë/litër me pakicë dhe 173 lekë/litër me shumicë.

Çmimet e reja hynë në fuqi këtë të enjte në orën 13:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës.

Bordi paralajmëron operatorët e tregut të naftës se zbatimi i vendimit është i detyrueshëm, ndërsa në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, ndaj për rrjedhojë akciza do të vijojë të aplikohet në masën e plotë, 100%.

GJKKO hap rrugë dëshmitarëve për “Partizanin”: Balla dhe Rama në listë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë dritën jeshile për thirrjen e 11 dëshmitarëve në çështjen “Partizani”, me kërkesë të SPAK. Në seancën e kësaj të enjteje pritet të dëshmojnë tetë prej tyre, mes të cilëve edhe deputeti socialist Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit.

Para trupës gjykuese do të paraqiten ish-drejtues të klubit “Partizani”, përfshirë ish-presidentët Albert Xhani dhe Paro Laçi, si dhe ish-drejtorë të kompleksit, të cilët pritet të hedhin dritë mbi mënyrën e kalimit të pronësisë së truallit. Sipas hetimeve të SPAK, në disa raste janë pretenduar oferta apo favore për të mos kundërshtuar procesin e privatizimit.

Në listë janë edhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Pronave në Tiranë, të përfshirë në shqyrtimin e dosjes së ish-kompleksit sportiv, e cila konsiderohet ndër të parat e trajtuara nga ky institucion.

Ndërkohë, në një zhvillim paralel, GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitar edhe kryeministrin Edi Rama. Ai pritet të japë shpjegime në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani”.

Prokuroria çon në gjyq zyrtarë të QSUT: Pacientët orientoheshin te privatët, pajisjet sabotoheshin

Dërgonin pacientët e onkologjikut në klinika private për trajtimet që duhet të bëheshin në spitalin shtetëror si dhe sabotuan pajisjet e trajtimit të sëmurëve me tumor, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq zv.drejtoreshën e QSUT, mjekë e specialistë për ‘Shpërdorim detyre’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë persona, mes të cilëve zv.Drejtoreshën, koordinatorin, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike për veprat penale ‘Shpërdorim të detyrës’, ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’ parashikuar nga nenet 248, 180/1 dhe 178/1 të Kodit Penal.

Fillimisht çështja u dërgua në Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësim nëse kishte të bënte me ndonjë bashkëpunim që ishte kompetencë lëndore e kësaj prokurorie. Por u risoll në Prokurorinë Tiranë duke veçuar materialet në ngarkim të mjekut onklog E.G, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funskione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Si rrjedhojë, në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.5071 të vitit 2023 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar nëDVP Tiranë, arritën të dokumentojnë raste ku pacientëve tëndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësororientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUNT. 

Gjithashtu rezultoi se pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale. Që të përdorej kjo aparaturë duhet të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose agjencia ndërkombëtare IEAHEA. Ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike e në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifikë. Nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë provoise shtetasi E.L., në cilësinë e koordinatorit pranë Spitalit Onkologjik të QSUNT, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se i pandehuri E.L., ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Po kështu edhe e pandehura A.P., në cilësinë e administratores pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, u provua se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se e pandehura A.P ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë provoi gjithashtu se edhe shtetasja B.Q., në cilësinë e Zv/Drejtoreshës në QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit. Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi. Sa më sipër, rezulton e provuar se e pandehura B.Q. ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe shtetasja D.K., në cilësinë e specialistit pranë QSUT ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre. Kjo shtetase hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë. Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur. Si pasojë e kësaj veprimtarie është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit. Sa më sipër, shtetasja D.K., rezulton se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Përsa i përket shtetasit H.G., rezultoi se ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë, duke përfshirë shërbime si skaner dhe mamografi, si dhe ka lejuar që mjekë të punojnë në mënyrë të paregjistruar. Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave. Sa më sipër rezultoi e provuar se i pandehuri H.G. ka konsumuar veprën penale të “Fshehja e të ardhurave”.

Së fundmi, shtetasi F.M., në cilësinë e administratorit të “Flori Farma”, ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte ose duhej të dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar). Si administrator i subjektit farmaceutik ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë duke konsumuar veprën penale ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’.

Nafta mbi 125 dollarë për fuçi, tensionet SHBA–Iran tronditin tregjet globale

Çmimi i naftës ka arritur një tjetër nivel të ri këtë të enjte. Çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar Brent ka kaluar mbi 125 dollarë mëngjesin e sotëm.

Kjo vjen vetëm disa orë pasi arriti nivelin më të lartë prej 119.71 dollarësh ditën e djeshme. Para fillimit të luftës në fund të shkurtit, nafta e papërpunuar Brent tregtohej me rreth 70 dollarë për fuçi.

Çmimi po rritet për shkak të frikës së një përshkallëzimi të konfliktit dhe një bllokade të zgjatur të porteve të Iranit nga ushtria amerikane.

Ndërkohë, kanali kryesor i transportit detar të Ngushticës së Hormuzit mbetet gjithashtu i mbyllur.

Tregjet e naftës janë tronditur këtë javë, ndërsa Donald Trump u duk i gatshëm të vazhdojë bllokadën e Marinës Amerikane të porteve iraniane, me Iranin që u përgjigj duke e mbajtur ngushticën e Hormuzit pothuajse të mbyllur për tankerat e tjera të naftës.

Bisedimet SHBA-Iran të planifikuara për në Islamabad të Pakistanit gjatë fundjavës dështuan të materializoheshin, kështu që ngërçi vazhdon.

Trump tha të mërkurën se Irani “më mirë të bëhet i zgjuar sa më shpejt” dhe në një takim me drejtuesit e naftës diskutoi se çfarë hapash mund të ndërmerren për të “vazhduar bllokadën aktuale për muaj të tërë nëse është e nevojshme”, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Aksident në aksin Tepelenë-Krahës, përplasen dy makina/ Plagosen 8 persona

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Tepelenë-Krahës, pranë fshatit Iliras, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa lëviznin në drejtime të kundërta.

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të lënduar tetë persona që udhëtonin në të dy mjetet.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Gjirokastrës, ku sipas informacioneve paraprake ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Aksidenti në Fier-Seman, policia jep detaje

Fier/ Informacion paraprak

Rreth orës 17:10, në aksin rrugor “Fier-Seman”, shtetasi A. K., 31 vjeç, duke drejtuar automjetin është përfshirë në një aksident rrugor me biçiklistin, shtetasin B. Xh., rreth 65 vjeç.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje shtetasi B. Xh.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit shtetasin A. K., për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

27 mijë procedime penale në vend gjatë 2025, Fieri renditet mes qarqeve me më shumë raste me 1,915 hetime

Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku rezulton se në të gjithë vendin janë regjistruar 27,049 procedime penale.

Sipas raportit të prokurorise ,numrin më të lartë të procedimeve e ka Prokuroria e Tiranës me 9,904 raste, e ndjekur nga Durrësi me 2,573, Korça me 2,023, Shkodra me 1,976, Fieri me 1,915 dhe Vlora me 1,897 procedime.

Ndërkohë, gjatë vitit 2025, prokurorët kanë përdorur përgjimin e komunikimeve elektronike si mjet prove në 356 procedime penale gjatë fazës së hetimeve paraprake.

Raporti tregon se janë realizuar përgjime për 1,771 pajisje fundore, në përdorim të 1,642 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi.

Në total janë ekzekutuar 822 vendime përgjimi të autorizuara nga gjykata dhe 406 urdhra apo autorizime të prokurorëve.

Në rekomandimet për vitin në vijim, Prokuroria e Përgjithshme vendos theksin te forcimi i kapaciteteve profesionale, hetimet financiare e kibernetike, përmirësimi i menaxhimit të çështjeve, përdorimi i teknologjisë dhe krijimi i task-forcave për hetimin e çështjeve komplekse si krimi i organizuar dhe krimet financiare.