Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë dritën jeshile për thirrjen e 11 dëshmitarëve në çështjen “Partizani”, me kërkesë të SPAK. Në seancën e kësaj të enjteje pritet të dëshmojnë tetë prej tyre, mes të cilëve edhe deputeti socialist Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit.
Para trupës gjykuese do të paraqiten ish-drejtues të klubit “Partizani”, përfshirë ish-presidentët Albert Xhani dhe Paro Laçi, si dhe ish-drejtorë të kompleksit, të cilët pritet të hedhin dritë mbi mënyrën e kalimit të pronësisë së truallit. Sipas hetimeve të SPAK, në disa raste janë pretenduar oferta apo favore për të mos kundërshtuar procesin e privatizimit.
Në listë janë edhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Pronave në Tiranë, të përfshirë në shqyrtimin e dosjes së ish-kompleksit sportiv, e cila konsiderohet ndër të parat e trajtuara nga ky institucion.
Ndërkohë, në një zhvillim paralel, GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitar edhe kryeministrin Edi Rama. Ai pritet të japë shpjegime në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani”.










