Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të mërkurë në selinë e Partisë Demokratike, ku përfaqësuesi i ish-deputetit Ervin Salianji nuk ka mundur të dorëzojë dokumentacionin për kandidim në garën e brendshme.
Rreth mesditës, Orest Berberi, i autorizuar nga Salianji, është paraqitur pranë selisë blu për të dorëzuar dokumentet përkatëse. Ai ka qëndruar në ambientet e hyrjes dhe ka komunikuar me rojet e sigurisë për procedurën e dorëzimit.
Sipas deklarimeve të tij për mediat, atij i është bërë me dije se nuk kishte asnjë përfaqësues të administratës në zyrë për të pranuar dokumentacionin, duke e lënë kështu procesin të papërfunduar në atë moment.
Ngjarja ngre pikëpyetje mbi organizimin e procedurave të brendshme në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe si do të realizohet dorëzimi i kandidimit.










