Rama mesazh per 1 Majin

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj kanë përcjellë mesazhe urimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Përmes një postimi në Facebook, Rama shprehu vlerësim për të gjithë punëtorët shqiptarë.

“Mirëmëngjes dhe me zemër e respekt, i uroj çdo shqiptari punëtor punë e ditë të mbarë”, shkroi kryeministri.

Ndërkohë, presidenti Begaj falënderoi çdo qytetar që kontribuon me punën e tij në zhvillimin e vendit.

“Faleminderit çdo njeriu punëtor që, me përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri, e bën çdo ditë më të begatë Shqipërinë!”, u shpreh Begaj në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale

Greqia në protestë për 1 Majin, sindikatat dalin në rrugë në Athinë dhe Selanik

Mobilizime dhe protesta po zhvillohen sot, më 1 maj 2026, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punës, me pjesëmarrjen e sindikatave më të mëdha në Greqi.

ADEDY, Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Grekë (GSEE) dhe Qendra e Punës së Athinës kanë organizuar një tubim të përbashkët në orën 11:00 në sheshin Klafthmonos, ndërsa PAME ka thirrur mbështetësit e saj në një protestë të veçantë në orën 10:30 në sheshin Sintagma.

Manifestime dhe marshime po zhvillohen edhe në Selanik, si dhe në qytete të tjera të vendit, me kërkesa që lidhen me pagat, kushtet e punës dhe mbrojtjen sociale.

Trump paralajmëron publikimin e dosjeve UFO: “Do shihni gjëra të pabesueshme”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se administrata e tij do të publikojë dosje mbi objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) në të ardhmen e afërt, duke deklaruar se ato përmbajnë gjëra “që nuk do t’i besonit se janë të vërteta”, raporton sot Newsweek.

“Mendoj se do të publikojmë sa më shumë që të mundemi në të ardhmen e afërt. Çdo gjë që ka të bëjë me UFO-t ose materiale të ngjashme do të publikojmë. Dhe mendoj se shumë prej tyre do të jenë shumë interesante. Kam intervistuar pilotë, njerëz shumë seriozë, dhe ata thanë se panë gjëra që nuk do t’i besonit. Kështu që do të lexoni për këtë”, tha Trump.

Më herët në shkurt, ai i ngarkoi Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegsett, detyrën e fillimit të procesit të identifikimit dhe publikimit të këtyre dosjeve.

Njoftimi i Trump vjen pas vitesh kërkesash nga Kongresi dhe publiku për më shumë transparencë në lidhje me anomalitë e paidentifikuara të raportuara nga pilotët ushtarakë amerikanë.

Dëshmia e Ballës shoqërohet me debate në dosjen “Partizani”: “Kallëzimin e bëra mbi dyshime”

Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për dosjen “Partizani” është shoqëruar me tensione dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

I thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, Balla u vu përballë pyetjeve të avokatëve mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës, të cilët kërkuan sqarime mbi mënyrën e sigurimit të provave dhe bazën e kallëzimit.

Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, ngriti pikëpyetje nëse kallëzimi ishte bërë si deputet apo si qytetar dhe nëse ishte shoqëruar me prova konkrete. Balla u përgjigj se kishte bashkëngjitur të gjitha materialet që dispononte, duke theksuar se informacionet i kishte siguruar nga qytetarë, media dhe burime të tjera, si dhe përmes të drejtës së tij ligjore për të kërkuar informacion nga institucionet.

I pyetur nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes, ai deklaroi se nuk i kujtohej dhe se do t’i referohej kallëzimit për verifikim. Ndërsa për mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, fillimisht tha se e kishte paraqitur vetë në prokurori, por më pas shtoi se mund të jetë dorëzuar edhe nga një punonjës i Kuvendit.

“Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim,” u shpreh Balla, ndërsa u tërhoq në vëmendje nga trupi gjykues për të respektuar rolin e dëshmitarit dhe për të shmangur komentet.

Gjatë seancës, u ngritën edhe çështje që lidhen me dokumente të mundshme mbi marrëveshje ndërkombëtare dhe procesin e shpronësimeve. Balla tha se nuk i kujtohej nëse kishte parë dokumente të tilla, ndërsa për disa referenca të viteve ’90 u shpreh se ishin marrë nga burime publike.

Në përballjen me avokaten e Berishës, Klodiana Gjyzari, ai deklaroi se objektet në fjalë ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por sipas tij ishin privatizuar me një vlerë shumë të ulët. “Nuk jam ekspert, por mendoj se vlera duhet të ketë qenë ndoshta 10 herë më e lartë,” tha Balla.

Ndërkohë, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush kishte përfituar nga procesi i privatizimit. Balla u përgjigj se, sipas tij, përfitues kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me të, duke përmendur edhe dyshime për ndikim për shkak të lidhjeve familjare me ish-kryeministrin.

“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë,” përfundoi ai

Dorëhiqet kryetarja e Këshillit Bashkiak Fier, prapaskenat e mocionit nga këshilltarët e majtë

Screenshot

Lëvizjet e fundit në Këshillin Bashkiak të Fierit nuk duken thjesht si një çështje proceduriale, por si pjesë e një rikonfigurimi më të gjerë politik brenda së majtës, në prag të zgjedhjeve vendore të ardhshme. Dorëheqja e kryetares Antoneta Çunaj, e paraprirë nga kërkesa e vetë këshilltarëve socialistë për mocion ndaj saj, ngre pikëpyetje mbi arsyet reale dhe mesazhin që përcillet nga kjo ndërhyrje.

Formalisht, procesi u mbyll me zgjedhjen e Melsi Bogdanit në krye të Këshillit, pas propozimit të bërë nga kreu i grupit socialist, Marius Voja. Por thelbi i kësaj lëvizjeje qëndron përtej emrave. Burime brenda Partisë Socialiste e lidhin zhvillimin me një valë ristrukturimesh të nisura më herët në Bashkinë Fier, përfshirë edhe emërimin e katër nënkryetarëve të rinj, në funksion të një “rifreskimi” të strukturave drejtuese.

Në lexim politik, kjo ndërhyrje interpretohet si përpjekje për të rritur kontrollin dhe kohezionin e brendshëm, si dhe për të pozicionuar figura të reja në poste kyçe, përpara një gare elektorale që pritet të jetë e rëndësishme për balancat vendore. Fakti që mocioni erdhi nga brenda së njëjtës shumicë dhe jo nga opozita, e bën edhe më domethënës këtë zhvillim, duke sugjeruar tensione të brendshme apo nevojë për riorganizim strategjik.

Prania në mbledhje e drejtuesve lokalë të PS-së, si Dorina Gjino, dhe deputetëve Ramion Kurti e Erjo Mile, përforcon idenë se vendimmarrja nuk ka qenë thjesht lokale, por e koordinuar në nivele më të larta politike.

Në fund, dorëheqja e Çunajt dhe zgjedhja e pasuesit të saj duket se janë pjesë e një procesi më të gjerë politik, ku objektivi kryesor mbetet përgatitja e strukturave për sfidat elektorale që afrohen, më shumë sesa një reagim ndaj një problematike të izoluar brenda këshillit.

Malaj: Masat ndaj rritjes së çmimeve do fokusohen te shtresat në nevojë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi këtë të enjte se qeveria po ndjek nga afër zhvillimet ekonomike në vend, në një kohë kur rritja e çmimeve po ndikohet edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Në një konferencë për mediat, Malaj theksoi se situata është në monitorim të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, ndërsa paralajmëroi se rishikimi i treguesve ekonomikë mbetet i mundshëm për shkak të pasigurive që lidhen me konfliktin.

Sipas tij, çdo ndërhyrje që mund të ndërmerret do të ketë në fokus mbrojtjen e shtresave më vulnerabël, si pensionistët dhe familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Ministri nënvizoi se qeveria po vlerëson reagimin e tregut ndaj rritjes së çmimeve, ndërsa çdo masë e mundshme do të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ervin Salianji dorëzon kandidaturën për kreun e PD përballë Berishës

Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të mërkurë në selinë e Partisë Demokratike, ku përfaqësuesi i ish-deputetit Ervin Salianji nuk ka mundur të dorëzojë dokumentacionin për kandidim në garën e brendshme.

Rreth mesditës, Orest Berberi, i autorizuar nga Salianji, është paraqitur pranë selisë blu për të dorëzuar dokumentet përkatëse. Ai ka qëndruar në ambientet e hyrjes dhe ka komunikuar me rojet e sigurisë për procedurën e dorëzimit.

Sipas deklarimeve të tij për mediat, atij i është bërë me dije se nuk kishte asnjë përfaqësues të administratës në zyrë për të pranuar dokumentacionin, duke e lënë kështu procesin të papërfunduar në atë moment.

Ngjarja ngre pikëpyetje mbi organizimin e procedurave të brendshme në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe si do të realizohet dorëzimi i kandidimit.

Bordi i Transparencës rrit çmimin e naftës

Bordi i Transparencës ka vendosur një rritje të re të çmimeve të karburanteve, duke e çuar çmimin e gazoilit në 208 lekë për litër, nga 206 lekë që ishte më herët, duke shënuar një rritje prej 2 lekësh.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e 30 prillit 2026, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 përcaktohet të jetë jo më shumë se 208 lekë/litër, ndërsa me shumicë 196 lekë/litër.

Edhe benzina është rishikuar, duke u vendosur në 185 lekë/litër me pakicë dhe 173 lekë/litër me shumicë.

Çmimet e reja hynë në fuqi këtë të enjte në orën 13:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës.

Bordi paralajmëron operatorët e tregut të naftës se zbatimi i vendimit është i detyrueshëm, ndërsa në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, ndaj për rrjedhojë akciza do të vijojë të aplikohet në masën e plotë, 100%.