Plag*sje me th*ke në Vlorë, 23-vjeçari përfundon në spital pas konfliktit me nje 42 vjecar

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Vlorë. Sipas policisë, rreth orës 20:40, në Spitalin Rajonal Vlorë është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi Gj. I., 23 vjeç, banues në fshatin Picar, i plagosur me mjet prerës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu është goditur pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin V. H., 42 vjeç, banues në fshatin Lubonjë.

23-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia e Fierit dhe Lushnjës, disa procedime dhe arrestime në 24 orët e fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme për shtetasin F. B., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim pasi dyshohet se ka vjedhur disa mjete izoluese në spitalin e Lushnjës, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën dhe ndaluan shtetasin F. B., për veprën penale “Vjedhje”.

Po nga këta specialistë:

  • U arrestua shtetasi D. L., 26 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë në banesën e shtetasit S. A., 34 vjeç;
  • U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 47 vjeç, banues në Lushnjë, pasi nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos i kthyer fëmijën e mitur ish-bashkëshortes sipas afateve të përcaktuara;
  • U referuan materialet në Prokurori për njoftim fakti, pasi ditën e djeshme shtetasi A. H., 51 vjeç, banues në Lushnjë (punonjës i OSHEE-së), dyshohet se gjatë punimeve në një kabinë elektrike ka rënë aksidentalisht në kontakt me rrymën, duke pësuar dëmtime të lehta. Aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori edhe në ngarkim të shtetasit E. M., 32 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur përmes telefonit dajën e tij, shtetasin F. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Berisha kandidati i vetëm për kryetar të PD

Partia Demokratike pritet të shkojë në zgjedhjet për kryetar me vetëm një kandidat në garë. Sipas vendimit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), të shpallur këtë të premte, Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm në votimin e 23 majit 2026.

Pas shqyrtimit të kërkesave të depozituara, komisioni vendosi të skualifikojë të gjithë kandidatët e tjerë. Në shqyrtim u morën vetëm aplikimet e Sali Berishës, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt, pasi plotësonin kushtin bazë të të qenit anëtarë të Partisë Demokratike.

Sipas vendimit të KOKOE:

  • Sali Berisha plotëson të gjitha kriteret statutore për të kandiduar për kryetar të PD-së.
  • Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj u skualifikuan pasi, sipas komisionit, nuk plotësojnë kriterin për të qenë “figura me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe nuk kanë eksperiencë drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal.

Komisioni i ka propozuar zyrtarisht Kryesisë së PD-së vetëm kandidaturën e Berishës për miratim, duke e lënë ish-kryeministrin pa rival në garë.

Ndërkohë, kandidaturat e depozituara nga Ervin Salianji, Alesia Balliu dhe Evi Kokalari nuk u pranuan, pasi sipas komisionit nuk plotësonin kriteret e kërkuara.

Euro në rënie rekord ndaj lekut, humbasin emigrantët dhe eksportuesit

Kursi i këmbimit vijon të favorizojë lekun, ndërsa euro ka zbritur në nivelet më të ulëta historike në raport me monedhën shqiptare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro është këmbyer deri në 95.50 lekë, duke thyer prej kohësh pragun psikologjik të 100 lekëve. Që nga fillimi i prillit, monedha europiane ka qëndruar mes 95 dhe 96 lekëve.

Rënia e euros prek drejtpërdrejt qytetarët që i kanë të ardhurat në euro, por shpenzimet në lekë, pasi nga këmbimi marrin më pak para se më parë. Nëse dikur 1 euro këmbehej me 120 lekë, sot ajo vlen rreth 95 lekë.

Ndër më të goditurit janë bizneset eksportuese, si industria fason dhe bujqësia, të cilat të ardhurat i sigurojnë në euro, ndërsa kostot i kanë në lekë.

Nga ana tjetër, përfitues janë importuesit, qytetarët me kredi në euro dhe shteti, pasi forcimi i lekut ul kostot e importit dhe të shlyerjes së borxhit publik në valutë.

Për të stabilizuar tregun valutor dhe për të rritur rezervën valutore, Banka e Shqipërisë bleu mbi 1 miliard euro gjatë vitit 2025.

Trajleri del nga rruga , plagoset shoferi

Screenshot

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të premte në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë fshatit Senicë.

Sipas informacioneve paraprake, një trajler që transportonte mallra ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kodër anësore.

Si pasojë e aksidentit është lënduar shoferi i mjetit, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Mbi 670 mijë shqiptarë punojnë në “punë krahu”, bujqësia mban peshën kryesore

Të dhënat e INSTAT tregojnë se 57.1% e të punësuarve në Shqipëri janë të angazhuar në sektorë që lidhen kryesisht me punën fizike, si bujqësia, prodhimi, ndërtimi dhe industria.

Peshën më të madhe e mban bujqësia me 36.7% të punësimit total, e ndjekur nga prodhimi me 10.1% dhe ndërtimi me 7.9%. Ndërsa 2.4% e të punësuarve janë të angazhuar në industri nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizim me ujë.

Në total, nga rreth 1.17 milionë të punësuar në vend, afro 672 mijë persona punojnë në sektorë që konsiderohen kryesisht “punë krahu”.

Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve përfaqëson 42.8% të punësimit në vend, duke mbetur një tjetër shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo çdo vend pune në këta sektorë është domosdoshmërisht fizik, pasi përfshihen edhe role administrative, teknike dhe menaxheriale. Por në tërësi, struktura e tregut të punës tregon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbështetet kryesisht te sektorët tradicionalë dhe puna fizike.

Sindikatat protestë para Kryeministrisë në 1 Maj: Drejtësi dhe paga të denja për punëtorët

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë zhvilloi këtë të premte një protestë para Kryeministrisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Përfaqësues të sindikatave dhe qytetarë kërkuan më shumë siguri, drejtësi dhe dinjitet për punëtorët, ndërsa i drejtuan edhe një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama.

“Kërkojmë drejtësi, siguri dhe dinjitet për çdo punëtor. Kërkojmë barazi dhe fund të pandëshkueshmërisë. Kërkojmë luftë reale kundër korrupsionit dhe formalizim të tregut të punës”, thuhej në mesazhin drejtuar kreut të qeverisë.

Mes kërkesave të ngritura ishin paga të drejta, minimum jetik, pensione të denja, paga e 13-të, si dhe status i veçantë për minatorët. Protestuesit kërkuan gjithashtu zbatimin e standardit të punës me 5 ditë në javë dhe 8 orë në ditë.

“Sot të gjithë në sektorin privat janë në punë, kërkojmë drejtësi”, deklaruan përfaqësuesit e sindikatave.

Gjatë protestës nuk munguan edhe thirrjet kundër qeverisë dhe mbështetjes ndaj punëtorëve e minatorëve.

“Duam një qeveri për punëtorët, jo për oligarkët. Jeta jonë nuk është kosto biznesi”, u shprehën disa prej protestuesve.

Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë-Shqipëri për lëvizjen e lirë, shmangen radhët në kufi

Screenshot

Ka hyrë në fuqi këtë të premte marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjellë lehtësim të ndjeshëm të qarkullimit në pikat kufitare mes dy vendeve.

Marrëveshja do të jetë aktive deri në muajin tetor dhe do të zbatohet sërish gjatë muajve dhjetor dhe janar, si edhe në fundjavë. Ajo synon shmangien e fluksit dhe radhëve të gjata në kufi, përmes procedurave të përshpejtuara të kontrollit.

Sipas skemës së re, qytetarët kalojnë kufirin pa kontrolle të detajuara të dokumenteve, përveç rasteve të veçanta të parashikuara nga autoritetet.

Zbatimi i marrëveshjes ka sjellë menjëherë efekt në pikat kufitare, duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes për udhëtarët. Vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 15 mijë shtetas, shumica prej tyre nga Kosova.