Zjarr në sera në Roskovec, digjet sipërfaqe me fidanë

Në Roskovec është regjistruar një ngjarje zjarri në disa sera bujqësore, rreth orës 19:30 të ditës së djeshme. Dyshohet se shkaku i flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike.

Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e mbjellë me fidanë në pronësi të shtetasit Xh. Gj., 30 vjeç.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.

Fier–Kthesa e Patosit–Fratar, përfundon rreth 70% e punimeve

Punimet në projektin e rehabilitimit të aksit Fier–Kthesa e Patosit–Fratar kanë arritur rreth 70% të volumit të parashikuar, duke shënuar progres të qëndrueshëm në një nga investimet kryesore infrastrukturore në këtë zonë.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka inspektuar në fundjavë kantierin e punimeve, ku është vlerësuar ecuria e deritanishme dhe respektimi i afateve të përcaktuara në projekt.

Sipas të dhënave nga terreni, është përfunduar ndërtimi i një segmenti të ri prej rreth 3.7 kilometrash në zonën e Povelës, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Aktualisht, puna është e përqendruar në disa drejtime, përfshirë ndërtimin e veprave të artit inxhinierik, stabilizimin e zonave problematike me rrëshqitje dhe përforcimin e strukturës së rrugës.

Paralelisht po vijon edhe rehabilitimi i shtresave të asfaltit në segmentin ekzistues, me qëllim përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe rritjen e komoditetit për drejtuesit e automjeteve.

Ky projekt pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, duke lehtësuar lidhjet mes zonave dhe duke rritur sigurinë në qarkullim. Përfundimi i tij synon krijimin e një segmenti më modern dhe më funksional për përdoruesit e rrugës.

Teknologjia ne rruge,mbi 26 mijë gjoba dhe 48 të arrestuar brenda javës

Kontrollet në rrugët e vendit janë shtuar ndjeshëm falë përdorimit të sistemeve inteligjente dhe dronëve, të cilët po monitorojnë në kohë reale sjelljen e drejtuesve të mjeteve, edhe pa praninë e policisë në terren.

Këto mjete teknologjike po përdoren në të gjitha akset kryesore, duke evidentuar shkelje si tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, parkimet e parregullta dhe drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.

Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet sidomos gjatë fundjavës dhe në rrugët që çojnë drejt zonave turistike, ku qarkullimi është më i dendur. Në këto aksione përdoren radarë, dronë dhe pajisje inteligjente për të kapur shkeljet në kohë reale.

Gjatë javës së fundit janë vendosur 26 116 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit, përfshirë mosvendosjen e rripit të sigurimit, mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, parakalimet e gabuara dhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit.

Po ashtu, janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, ku 26 prej tyre për drejtim në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim pa leje drejtimi.

Në kryeqytet janë larguar gjithashtu 258 automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, të cilat pengonin qarkullimin dhe aksesin e mjeteve të emergjencës.

Autoritetet theksojnë se ky sistem i ri kontrolli synon rritjen e sigurisë rrugore dhe reduktimin e aksidenteve në vend.

Kompensimi i TVSH në bujqësi nis më 1 Korrik

Skema e kompensimit të TVSH-së në bujqësi do të nisë zbatimin më 1 korrik 2026, duke synuar formalizimin dhe mbështetjen financiare të fermerëve në vend.

Sipas të dhënave të tremujorit të parë, efektet e para të kësaj politike kanë filluar të reflektohen në treg, me rritje të numrit të transaksioneve të formalizuara dhe zgjerim të numrit të fermerëve të pajisur me NIPT që përfshihen në skemë.

Autoritetet vlerësojnë se rreth 400 milionë lekë pritet të kalojnë në llogaritë e fermerëve përmes kompensimit të TVSH-së, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor.

Në zbatim të skemës, grumbulluesit dhe përpunuesit bujqësorë kanë detyrimin ligjor të lëshojnë autofatura për fermerët, procedurë që konsiderohet kyçe për garantimin e transparencës dhe funksionimin korrekt të mekanizmit të kompensimit.

Administrata Tatimore ka bërë të ditur se, pas ankesave të fermerëve, do të intensifikojë monitorimin ndaj subjekteve grumbulluese dhe përpunuese për të verifikuar aktivitetin real dhe respektimin e detyrimit për lëshimin e autofaturave tatimore.

Sipas institucioneve, kjo politikë pritet të sjellë më shumë organizim dhe formalizim në sektorin bujqësor, duke forcuar marrëdhëniet mes fermerëve dhe operatorëve të tregut, si dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë rurale.

Goditet rrjeti i dr*gës në Elbasan, 26 të arrestuar dhe disa në kërkim, sekuestrohen kan*bis e k*ka*në

Operacioni i gjerë antidrogë i zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune në Elbasan, Prrenjas dhe Librazhd ka zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin e rrjetit kriminal të goditur nga policia.

Burime bëjnë me dije se deri tani janë arrestuar 26 persona, ndërsa disa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Gjatë kontrolleve dhe veprimeve operacionale, uniformat blu kanë sekuestruar rreth 8 kilogramë kanabis dhe 100 gramë kokainë.

Mësohet se hetimet për këtë operacion kishin nisur që në shtator të vitit 2025 dhe aksioni është në vijim të operacioneve të mëparshme policore “Rrjeti” dhe “Tempulli”, të fokusuar në goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas të njëjtave burime, gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale proaktive, përfshirë agjentë të infiltruar dhe dokumentim me pamje filmike, çka ka ndihmuar në identifikimin dhe goditjen e personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Operacioni vijon ende, ndërsa priten detaje të tjera zyrtare nga Policia e Shtetit.

Gjendet i pajetë një person në nje kullë vrojtimi te Plazhi i Vjetër

Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e kësaj të shtune në një prej kullave të vrojtimit në zonën e Plazhit të Vjetër, në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se viktima është vetëvarur, ndërsa ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin e viktimës dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Operacion antidrogë në Elbasan, FNSH zbarkon në disa qytete të qarkut

Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.

Aksioni është shtrirë njëkohësisht në disa zona të qarkut, përfshirë Elbasanin, Librazhdin dhe Prrenjasin, ku janë ushtruar kontrolle në banesa dhe ambiente të dyshuara për veprimtari të paligjshme.

Sipas burimeve jozyrtare, me urdhër të Gjykatës janë lëshuar rreth 20 urdhërkontrolle, ndërsa janë ekzekutuar edhe disa masa ndalimi për persona të dyshuar të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve.

Operacioni është ende në vijim dhe pritet që Policia e Shtetit të publikojë së shpejti detaje zyrtare mbi rezultatet e aksionit, sasitë e sekuestruara dhe personat e arrestuar.

Plag*sje me th*ke në Vlorë, 23-vjeçari përfundon në spital pas konfliktit me nje 42 vjecar

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Vlorë. Sipas policisë, rreth orës 20:40, në Spitalin Rajonal Vlorë është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi Gj. I., 23 vjeç, banues në fshatin Picar, i plagosur me mjet prerës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu është goditur pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin V. H., 42 vjeç, banues në fshatin Lubonjë.

23-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.