Greqi:Disa zona mbulohen nga dëbora

Greqia “vishet” me borë në maj, moti i ftohtë surprizon vendin

Greqia po përjeton ditë me mot të pazakontë për muajin maj, teksa reshjet e borës, temperaturat e ulëta dhe erërat e forta kanë rikthyer pamjet dimërore në shumë zona malore të vendit.

Reshjet e dëborës kanë përfshirë Parnithën, Parnassosin, Kalavritën, Pelionin dhe zona të tjera malore, ku rrugët dhe pemët janë mbuluar nga bora, ndërsa temperaturat në disa rajone kanë zbritur deri në -1 gradë Celsius.

Për shkak të motit të keq, qarkullimi i automjeteve është pezulluar në disa segmente rrugore, ndërsa autoritetet kanë kërkuar përdorimin e zinxhirëve të dëborës për lëvizjen në zonat malore.

Pamjet dimërore kanë tërhequr edhe vizitorë të shumtë, të cilët kanë shfrytëzuar fundjavën për të parë nga afër reshjet e pazakonta të borës në prag vere.

Sipas parashikimeve meteorologjike, nga dita e nesërme pritet përmirësim i motit dhe rritje e ndjeshme e temperaturave, të cilat gjatë javës do të kalojnë 27 gradë Celsius.

Humbi jetën në aksident në Shqipëri biznesmeni kinez ,themeluesi i resortit të njohur të skive

Biznesmeni i njohur kinez Li Jianhong ka humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur në Shqipëri. Mediat kineze raportojnë se 60-vjeçari, i cili ishte kryetar dhe president i “Xinjiang Grand Scape Group” si edhe themelues i resortit të famshëm të skive “Silkroad Mountain Resort” në Urumqi, ndodhej në një udhëtim pune në vendin tonë.

Aksidenti ndodhi në aksin kombëtar Librazhd-Elbasan, pranë zonës së Xibrakës. Përplasja la të vdekur Li Jianhong, ndërsa gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur. Pas ngjarjes, policia arrestoi drejtuesin 26-vjeçar të automjetit tjetër, nën akuzën për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Li Jianhong ishte një nga figurat më të njohura të biznesit në rajonin autonom të Xinjiang-ut. Ai themeloi kompaninë “Xinjiang Grand Scape Group”, e cila operon në sektorët e telekomunikacionit, turizmit, investimeve dhe menaxhimit të aseteve. Grupi u kthye në një nga ndërmarrjet private më të rëndësishme në rajon, me mijëra të punësuar dhe qindra milionë dollarë qarkullim.

Në vitin 2003, ai themeloi “Silkroad Mountain Resort”, një nga resortet më të mëdha të skive në Kinë, që ka pritur edhe aktivitete kombëtare sportive dimërore.

Përveç biznesit, Li ishte i apasionuar pas alpinizmit dhe skive. Ai arriti të përfundonte “Grand Slam-in e Eksploruesit”, duke ngjitur shtatë majat më të larta në botë dhe duke realizuar ekspedita në Polin e Veriut dhe të Jugut, një arritje e rrallë për eksploruesit aziatikë.

Përfshihet nga flakët një apartament , nderhyjne zjarrfikesit vene flaket nen kontroll

Një apartament është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të diele në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë në katin e gjashtë të një pallati, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse për të neutralizuar flakët.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale në apartament.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa puna vijon për shuarjen e plotë të zjarrit dhe për përcaktimin e shkaqeve të incidentit.

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të naftës dhe benzinës

Njoftimi: 

Bordi i Transparencës në datë 2 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 184 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 172 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

Salianji reagon ndaj akuzave të Berishës: Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga Rama

Reagimi i plotë
Sali “kolltuku”, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës!
Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjeranin e azilit të Ramës që je kthyer ti, unë që bëj burg “shitem”.
Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tendera, por unë zhurmoj. O zoti fosile, Ballukun dhe Agasin nuk i bashkoi dot Rama, jo unë. I vetmi që i ke bashkuar në një formë je ti, se paguheshe nga të dy edhe nga Agasi, edhe nga Balluku. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Publikoji të plota, frikacak.
Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh!
Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do mjafton të të shohë si je katandisur dhe e merr “satisfaksionin” e jetës.
Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar.
I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jem ushqimin qe do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama–Berisha.
Por ti njihesh si mosmirënjohës, që e ha fjalën dhe gjithçka që ke bërë vetë ia ngjit kundërshtarit.
Të mban Rama në azil luksi, duke të dhënë garanci që ti nuk prekesh nga ligji; prandaj nuk lejon garë. Por do çmontohesh Sali, do çmontohesh si kambalec i Edi Ramës, do çmontohesh si segmenti i keqpërdorur dhe i blerë nga Edi Rama. Do ju çmontojmë të dyve, e ke marrë rrugën!

Fier: Procedime penale për drejtim pa leje, dh*në dhe k*nosje

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka referuar disa raste në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore në zona të ndryshme të qarkut.

Në Lushnjë, është proceduar shtetasi E. Zh., 43 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar motomjet pa leje drejtimi. Gjithashtu, një 16-vjeçar është proceduar pasi drejtonte automjet pa qenë i pajisur me leje.

Në Patos, procedim penal ka nisur për shtetasin A. K., 33 vjeç, i dyshuar se për motive të dobëta ka goditur një tjetër person.

Ndërsa në Roskovec, shtetasi R. Ç., 79 vjeç, është proceduar pasi dyshohet se ka kanosur një shtetas tjetër për shkaqe të dobëta.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për vijimin e hetimeve.

Zjarr në sera në Roskovec, digjet sipërfaqe me fidanë

Në Roskovec është regjistruar një ngjarje zjarri në disa sera bujqësore, rreth orës 19:30 të ditës së djeshme. Dyshohet se shkaku i flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike.

Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e mbjellë me fidanë në pronësi të shtetasit Xh. Gj., 30 vjeç.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.

Fier–Kthesa e Patosit–Fratar, përfundon rreth 70% e punimeve

Punimet në projektin e rehabilitimit të aksit Fier–Kthesa e Patosit–Fratar kanë arritur rreth 70% të volumit të parashikuar, duke shënuar progres të qëndrueshëm në një nga investimet kryesore infrastrukturore në këtë zonë.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka inspektuar në fundjavë kantierin e punimeve, ku është vlerësuar ecuria e deritanishme dhe respektimi i afateve të përcaktuara në projekt.

Sipas të dhënave nga terreni, është përfunduar ndërtimi i një segmenti të ri prej rreth 3.7 kilometrash në zonën e Povelës, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Aktualisht, puna është e përqendruar në disa drejtime, përfshirë ndërtimin e veprave të artit inxhinierik, stabilizimin e zonave problematike me rrëshqitje dhe përforcimin e strukturës së rrugës.

Paralelisht po vijon edhe rehabilitimi i shtresave të asfaltit në segmentin ekzistues, me qëllim përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe rritjen e komoditetit për drejtuesit e automjeteve.

Ky projekt pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, duke lehtësuar lidhjet mes zonave dhe duke rritur sigurinë në qarkullim. Përfundimi i tij synon krijimin e një segmenti më modern dhe më funksional për përdoruesit e rrugës.