Greqia “vishet” me borë në maj, moti i ftohtë surprizon vendin
Greqia po përjeton ditë me mot të pazakontë për muajin maj, teksa reshjet e borës, temperaturat e ulëta dhe erërat e forta kanë rikthyer pamjet dimërore në shumë zona malore të vendit.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë Parnithën, Parnassosin, Kalavritën, Pelionin dhe zona të tjera malore, ku rrugët dhe pemët janë mbuluar nga bora, ndërsa temperaturat në disa rajone kanë zbritur deri në -1 gradë Celsius.
Për shkak të motit të keq, qarkullimi i automjeteve është pezulluar në disa segmente rrugore, ndërsa autoritetet kanë kërkuar përdorimin e zinxhirëve të dëborës për lëvizjen në zonat malore.
Pamjet dimërore kanë tërhequr edhe vizitorë të shumtë, të cilët kanë shfrytëzuar fundjavën për të parë nga afër reshjet e pazakonta të borës në prag vere.
Sipas parashikimeve meteorologjike, nga dita e nesërme pritet përmirësim i motit dhe rritje e ndjeshme e temperaturave, të cilat gjatë javës do të kalojnë 27 gradë Celsius.









