Qeveria miraton shpronësimet për dy akse rrugore: Elbasan-Lekaj dhe Bërdicë-Bahçallëk

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime për shpronësimin e pronave private që preken nga ndërtimi i dy projekteve infrastrukturore rrugore në vend.

Vendimi i parë i referohet projektit “Studim-projektim aksi rrugor Elbasan-Lekaj, Korridori 8, ndërtim aksi rrugor Papër-Ura e Grykshit”. Sipas VKM-së, pronarët e tokave të prekura do të kompensohen me vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”.

Fondi total i shpronësimit për këtë segment arrin në 14.6 milionë lekë dhe do të financohet nga buxheti i shtetit përmes fondit të shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë. Procedurat do të kryhen në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe pritet të përfundojnë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Ndërkohë, qeveria ka miratuar edhe shpronësimet për projektin “Ndërtim, rruga Kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut”. Për këtë aks, kompensimi përfshin prona të kategorive “arë”, “truall”, “pemëtore” dhe “ndërtesë”.

Vlera totale e kompensimit për këtë projekt është rreth 57.4 milionë lekë. Edhe në këtë rast, procesi i shpronësimit do të realizohet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa procedurat e regjistrimit të pronësisë do të mbyllen brenda tre muajve.

Në të dyja projektet, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë përkohësisht çdo transaksion mbi pronat e prekura deri në përfundimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit.

Vendimet kanë hyrë menjëherë në fuqi dhe pritet të botohen në Fletoren Zyrtare.