Fier–Kthesa e Patosit–Fratar, përfundon rreth 70% e punimeve

Punimet në projektin e rehabilitimit të aksit Fier–Kthesa e Patosit–Fratar kanë arritur rreth 70% të volumit të parashikuar, duke shënuar progres të qëndrueshëm në një nga investimet kryesore infrastrukturore në këtë zonë.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka inspektuar në fundjavë kantierin e punimeve, ku është vlerësuar ecuria e deritanishme dhe respektimi i afateve të përcaktuara në projekt.

Sipas të dhënave nga terreni, është përfunduar ndërtimi i një segmenti të ri prej rreth 3.7 kilometrash në zonën e Povelës, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Aktualisht, puna është e përqendruar në disa drejtime, përfshirë ndërtimin e veprave të artit inxhinierik, stabilizimin e zonave problematike me rrëshqitje dhe përforcimin e strukturës së rrugës.

Paralelisht po vijon edhe rehabilitimi i shtresave të asfaltit në segmentin ekzistues, me qëllim përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe rritjen e komoditetit për drejtuesit e automjeteve.

Ky projekt pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, duke lehtësuar lidhjet mes zonave dhe duke rritur sigurinë në qarkullim. Përfundimi i tij synon krijimin e një segmenti më modern dhe më funksional për përdoruesit e rrugës.